Pep Guardiola pranoi se titulli i Premier Ligës mund të jetë tashmë jashtë mundësive të Mançester Sitit, pasi ai pësoi humbjen e katërt radhazi për herë të parë në karrierën e tij prej 898 ndeshjesh. “Ndoshta pas shtatë vitesh, ku kemi fituar gjashtë Premier Liga, ndoshta një vit një ekip tjetër e meriton atë”, tha Guardiola pas humbjes së “Qytetarëve” në Brajton.
Skuadra e Fabian Hyrceler fitoi me përmbysje, ndërsa Zhoao Pedro barazoi golin e Erling Halandit, përpara se Met O’Railej të shënonte golin e fitores në debutimin e tij në Premier Ligë. “Ka gjithmonë një herë të parë në jetë”, tha Guardiola.
Normalisht, njerëzit humbasin ndeshjet. Kjo është sfida ime. Më pëlqen një sfidë. Unë nuk do të tërhiqem. Më shumë se kurrë, dua ta bëj. Kur lojtarët e mi të kthehen, nuk kam asnjë dyshim se do të kthehemi në maksimumin tonë”, shtoi trajneri i Sitit. Gjatë komentit në “Sky Sports”, Xhemi Redknap e përshkroi paraqitjen e Sitit në pjesën e dytë si “një nga pjesët më të dobëta të futbollit” që ai kishte parë nga një skuadër e Guardiolës.
Kjo ishte hera e parë që Siti humbi katër ndeshje radhazi që nga gushti i vitit 2006, kur Stjuart Pirs ishte trajner i klubit. Por Guardiola refuzoi ta shihte këtë si një shenjë të fundit të epokës së Sitit. “Kjo është ajo që njerëzit duan. Nuk kemi mbaruar akoma. Është normale sepse fitojmë shumë, ndodh. Nën drejtimin e Klopit, Liverpuli, pasi fitoi Ligën e Kampioneve dhe Premier Ligën, kishte Virxhil van Dajkun e dëmtuar dhe shkoi në Ligën e Europës”, tha ai.
Katalanasi shtoi për “Sky Sports” se Siti duhet të pastrojë kokën gjatë pushimit ndërkombëtar. “Dy humbje në Premier Ligë. Duhet të numërojmë fitoret dhe humbjet dhe fitojmë shumë. Duhet të numërojmë sa fitore radhazi. Nuk është bukur.
Paraqitja në momente të caktuara është e mirë. Duhet të ndryshojmë, duhet të përpiqemi të fitojmë një ndeshje. Ne do të jemi të dytët para pushimit ndërkombëtar. Tani duhet të pastrojmë kokën, të shkojmë në pushimin ndërkombëtar dhe lojtarët të kthehen në formë. Suksesi që patëm ishte sepse kishim pak lëndime. Do të doja që lojtarët të luanin në nivelin që kishim në pjesën e parë. Ju duhet të ndërtoni nga kjo”.