Brenda 4 vitesh Gjermania ka pësuar një transformim të frikshëm: kampione bote në Brazil dhe një model futbolli, krizë totale pas Botërorit 2018 dhe një degradim i vazhdueshëm, aq sa humbja e thellë ndaj Holandës shton ndjeshëm rrezikun e zbritjes në Ligën B në Nations League.
Një rënie e pabesueshme, për një ekip që e nis Kupën e Botës si favorit, ndërsa tani nuk shënon prej 3 ndeshjesh, si kurrë në historinë e vet. Joakim Lëv e ka humbur magjinë e vet, apo thjesht mbaroi një cikël? Sky Sport ka analizuar arsyet e krizës gjermane…
Sulm i dobët
Gjermania gjuajti 21 herë drejt portës së Holandës, por e gjeti kuadratin vetëm në 4 raste. Është pasqyra e forcës së sulmit gjerman në këtë moment, sepse në 5 ndeshjet e fundit janë shënuar vetëm 2 gola me 107 goditje.
Te shtunën Tomas Myler humbi një rast të pastër në pjesën e parë dhe më vonë Leroj Sane gaboi një rast të artë për të barazuar. Edhe Draksler e Verner ishin fajtorë, sepse humbën raste të shkëlqyera.
Trajneri Lëv nuk ka ç’të bëjë në këtë drejtim, sepse Gjermania nuk ka më sulmues cilësor dhe shpresa e madhe Verner nuk po funksionon.
Lojë e çorganizuar
Pas pjesës së parë në Amsterdam Gjermania u përmirësua, por 45 minutat e para ishin një spektakël i shëmtuar. Vetëm 69% e pasimeve ishin të sakta në zonën sulmuese, ndërsa shiheshin edhe pasime krejt të gabuara, që tregonin qartë një mungesë totale koordinimi mes lojtarëve gjermanë.
Një pasim u gabuar nga Boateng për pak prodhoi një gol për Holandën, që në gjithë fushën ishte fitimtarë dhe më e shpejtë në çdo top.
Mbrojtje e çoroditur
Është diçka që rrallë thuhet ekipet gjermane, por në këtë moment mbrojtja gjermane është në një gjendje shqetësuese.
Çorganizimi u pa qartë te goli i parë i Holandës, kur Manuel Nojer nuk e llogariti si duhet trajektoren e topit dhe nuk mundi të bënte asgjë kur Rajan Babel kërceu me lart nga gjithë mbrojtësit dhe me pas Van Dijk shënoi me portën e boshatisur.
Gjermania vuajti edhe pas golit të parë dhe Ginter me fat evitoi një gol nga Babel, ndërsa kundërsulmi holandez dukej gjithnjë shumë i rrezikshëm, derisa shënoi edhe dy gola në fundin e ndeshjes.
Vetëbesim në nivel të ulët
Toni Kroos doli hapur në mbrojtje të trajnerit Lëv para ndeshjes, duke reaguar ndaj kritikave të Mikael Balak, por gjithnjë e më shumë po duket se Gjermania është në rrugën e gabuar dhe po ulët besimi që njeriu i duhur për ta nxjerrë nga kriza është Lëv.
Kauza e trajnerit Lëv nuk është ndihmuar as nga problemet që ka në këtë moment Bajerni i Mynihut. Pesë nga 11 titullarët e Lëvit luajnë për Bajernin dhe janë në krizë, duke mos qenë në nivelin e zakonshëm. Në të shkuarën blloku Bajern ka qenë vendimtar te Gjermania, tani është tkurrur shumë dhe duket pa asnjë peshë.
Të martën Gjermania luan në Francë dhe duhet reagim i fortë. A mund të vijë kthesa ndaj kampionëve të botës?/sport-ekspres/