Ferri aktual nuk është një zonë ku “Djalli” mund të ndihet komod. Ndaj Atalantës u pa një skuadër e ndarë në reparte ku gjithsecili vepron sipas kokës së vet. Milani është i tillë edhe në nivel drejtuesish, ku pronarët japin urdhra përtej oqeanit, teksa vartësit binden sipas mënyrës së tyre në anën tjetër të tij. Pasqyra e momentit janë lotët e Donarumës që braktis fushën pas pesë golave të pësuar.
Pas paraqitjes ose mosparaqitjes të së dielës, Zvonimir Boban ishte i vetmi nga Milani (përveç trajnerit) që shpjegoi situatën për mediat. Duke marrë si shkas moshën e rivalit (asnjë lojtar i lindur pas 1995-ës) kroati shpjegoi se nevojat e skuadrës mund të plotësohen nga merkatoja duke blerë lojtarë me përvojë.
NËN AKUZË – Boban e di mirë se bilancet duhet t’i respektojnë rregullat, por njëkohësisht është i vetëdijshëm se krerët e “Elliott” kanë shpenzuar 160 milionë euro për një ekip që renditet i 11-ti. Fjalia e Bobanit: “Të shohim se çfarë do të na lejojnë pronarët të bëjmë”, ka tingëlluar si një notë e stonuar në veshët e fondit që zotëron pronësinë e Milanit. Pikërisht investimi i tyre nuk është i justifikuar dhe zgjedhjet e Maldinit dhe Bobanit kanë tërbuar pronarin kuqezi, Pol Singer.
Amerikanët janë gati t’i shesin kuqezinjtë, por gjithçka komplikohet kur, falë rezultateve negative, klubi humb çdo ditë vlerën në merkato. Përpjekja për të ndarë fajet në mënyrë të barabartë nuk ka funksionuar, ashtu siç nuk ka funksionuar ekipi në kampionat, afrimet e zgjedhura nga Maldini apo edhe rokadat e trajnerëve (3 në 6 muaj.)
Duke qëndruar te legjenda e klubit, ka zëra se amerikanët do ta mirëprisnin një dorëheqje të tij, por vështirë se Paolo do të dorëzonte armët në këtë pikë të sezonit, aq më tepër në situatën që është katandisur bordi drejtues dhe skuadra. Problemi i “Elliott” më shumë sesa paratë është mënyra se si ato janë shpenzuar e nën këtë prizëm edhe Ivan Gazidhis nuk mund të përjashtohet nga akuzat.
FAJET DHE ZGJIDHJET – Pas ndeshjes trajneri i Milanit mori përsipër fajet e humbjes, por nuk është vetëm roli që e detyron të bëjë diçka të tillë. Realiteti flet qartë dhe pas 10 ndeshjesh me Piolin në krye “Djalli” ka grumbulluar 12 pikë. Sikur të mos mjaftonte, pesë gola pa shënuar asnjë mungonin prej më shumë se 20 vitesh, çka tregon për rënien vertikale që po pëson një skuadër, e cila vetëm që është skuadër nuk po tregon, sepse humbjet pranohen, ndërsa turpet jo.
Në një situatë kaotike, Zlatan Ibrahimoviç është emri që i bën bashkë pronarët, drejtuesit dhe trajnerin. Zgjidhja nuk mund të jetë një 38-vjeçar, por te Milani shpresojnë që suedezi të ketë ende disa fishekë në karikator. Ibra do të sillte energji, grintë dhe entuziazëm, ndaj për këtë arsye do të jetë pikërisht ai përjashtimi nga rregulli i vendosur nga amerikanët lidhur me afrimin e lojtarëve të rinj, me talent dhe sidomos me kosto të ulët. Mbase nuk është momenti i duhur për të folur për para, por me siguri është kohë llogarish. Në të gjitha drejtimet.