Hajduk Split po kthehet në një ekip të mbushur me shqiptarë duke qenë se në skuadrën e parë tashmë janë pjesë plot 3 futbollistë. Ardian Ismajli, Emir Sahiti dhe së fundmi, Françesko Tahiraj kanë arritur të përfitojnë kontratat me skuadrën e parë dhe tashmë mbetet në dorë të tyre që të japin më të mirën për të synuar edhe më lart.
Por, mesa duket këto 3 futbollistë nuk janë të vetmit që do të luajnë me Hajdukun e Splitit duke qenë se në provë te Hajduk Split 2 janë edhe dy futbollistë të tjerë shqiptarë.
“dalmatinskiportal.hr” raporton se njëri është Redon Mihana që së fundmi është aktivizuar me Apoloninë në Kategorinë e Parë dhe shihet si një nga talentet më premtuese.
Ai do të jetë në provë disa ditore te Hajduku dhe do të synojë që të bindë trajnerin dhe drejtuesit e klubit që të qëndrojë te skuadra kroate. Emri i dytë është më pak i njohur në Shqipëri dhe bëhet fjalë për Arb Manajn që luan në kampionatin e Kosovës me Trepçën.
Sulmuesi i cili në të kaluarën e tij ka luajtur me të rinjtë e Shqipërisë dhe ashtu si Mihana, synon një kontratë në Kroaci. Firma me Hajdukun, do të ishte një hap i madh në karrierë për të dy futbollistët. /VipSport/