Pavarësisht sukseseve të shumta të gjithë ekipeve të Sportklub Vllaznia, drejtori i tij Mark Kroqi është i pakënaqur me punën që bëhet në disa ekipe, sidomos nga trajnerët e tyre. Për këtë arsye, ai ka paralajmëruar se nga janari i vitit që vjen, në këtë klub mund të ketë një “reformë”. Deklarata e fortë e bërë prej tij për gazetën pritet të sjellë një reagim edhe të disa prej trajnerëve të këtij klubi megjithatë se çfarë do të ndodhë realisht, pritet të shohim në ditët në vazhdim.
“Shkodra është shquar gjithmonë për tifozë të mrekullueshëm por edhe për sportistë cilësorë. Një nga problemet shqetësuese mendoj se për momentin janë trajnerët. Gjërat tashmë po evolojnë çdo ditë e më shumë dhe ne duhet të kapim ritmin. Ne kemi sportistë të mirë, edhe të talentuar të cilët përfaqësojnë denjësisht jo vetëm sportin shkodran por edhe atë shqiptar. Por këtyre sportistëve të talentuar, për fat të keq konstatoj se nuk i përgjigjemi me trajnerë të tillë. Ata na kanë munguar edhe para viteve ’90 por tashmë ndoshta më shumë. Mbase në aktivitetet kombëtare ekipet tona rivalizojnë me të tjerët dhe arrijnë edhe të triumfojnë, kur vjen puna për ballafaqime me të huajt, dështojmë. Kjo tregon qartë se nuk punojmë ashtu si duhet. Shembujt që duhet t’i ndjekim nuk i kemi larg, për shembull në Mal të Zi ku punohet me projekte të qarta për të ardhmen. Për këtë arsye, një nga prioritetet e punës sime për vitin 2015 është edhe marrja e trajnerëve nga jashtë. Nuk kemi nevojë të eksportojmë sportistë të cilët na vijnë edhe mbipeshë, na vijnë edhe të dëmtuar. Kemi nevojë për trajnerë për të futur një mentalitet ndryshe pune. E kjo mund të bëhet me vullnetin e mirë dhe me një rregullim marëdhëniesh financiare me ta për të thithur elementin më të mirë trajner prej andej”- ka thënë Kroqi. Drejtori i këtij klubi, ndër më të suksesshmit në vend, duket se vëren se disa gjëra nuk shkojnë ashtu si duhet tek Vllaznia. pavarësisht se trofetë vazhdojnë të vijnë aty dhe i fundit ishte kupa e Republikës në basketboll për meshkuj. Por pikërisht kur i përmend këtë sukses, ish- volejbollisti i mirënjohur Mark Kroqi, tashmë në rolin e drejtuesit, “shpërthen”. Duket se diçka nuk shkon në marëdhëniet mes tij dhe drejtuesve të këtij ekipi dhe ndonëse ai nuk përmend emra, kuptohet lehtë ato se çfarë ai don të thotë. “Sportet që sjellin sportdashësit në sallat sportive, e them me bindje të plotë se nuk e meritojnë të kenë trajnerët aktualë që kanë ekipet tona. Nuk jam specialist basketbolli por si ish- sportist për 20 vite me rradhë, konstatoj se ekipi ka probleme fizike. Po ashtu, nuk është normale që kur fitohet një ndeshje të merren vetë meritat ndërsa kur humbet, t’i lihen fajet parketit. Unë mendoj se tek ekipi i basketbollit të meshkujve të Vllaznisë, i ka hyrë vetja në qejf elementëve të veçantë në drejtim. Mungon komunikimi me klubin në një kohë që duhet të hartonin projekte afatshkurtëra dhe afatgjata për ekipin, të stërvisnin elementin e ri. Ne si klub i kemi dhënë basketbollit “pjesën e luanit” të financave duke hyrë ndoshta në gjynah me ekipet e tjera të klubit. Duhet patjetër të bëhet një analizë shumë e hollë për paraqitjen aspak të mirë në Ligën Ballkanike. Sporti do punë dhe nuk do as qebabë dhe as birra e mejhane”- ka thënë drejtori i Sporklub Vllaznia Mark Kroqi.
Gjergj KOLA