Një takim mes Toni Kros dhe Kristiano Ronaldos në fund të ndeshjes mes Gjermanisë dhe Portugalisë u hapi rrugë shumë spekulimeve të ndryshme në mediat ndërkombëtare. Dy lojtarët, ish-shokë skuadre te Real Madrid për disa vite, u takuan miqësisht dhe shkëmbyen disa batuta në mes të fushës pas suksesit 4-2 të Gjermanisë ndaj Portugalisë.

Vetë Kros ka zbuluar se për çfarë diskutuan lojtarët në ato momente, ku për pak çaste iu bashkua edhe mbrojtësi Pepe, gjithashtu edhe ai një ish-madrilen.

“Kam luajtur me Ronaldon për katër sezone dhe nuk e ekzagjeroj kur them që sigurova sukseset më të mëdha me të dhe falë tij. Ishim “komshi” në dhomat e zhveshjeve gjatë viteve te Reali dhe u gëzova që e takova. Kishte kaluar shumë kohë pa u takuar, pasi nuk kemi luajtur kundër Juventusit.

Folëm shkurtimisht për ndeshjen dhe sfidat e ardhshme. I urova fat të mbarë, shpresoj që të kualifikohen për në turin tjetër ashtu si ne. Më pas e pyeta si ia kalonte në Itali, pasi është prej tre vitesh atje.

Kur përfundon një ndeshje nuk është se ke shumë kohë. Në dhomat e zhveshjeve pastaj ndërruam fanellat. U gëzova që e takova përsëri”, ishin fjalët e Kros teksa shpjegonte atë moment të takimit. /vipsport/