Sulmuesi i Vllaznisë Arsid Kruja është i mendimit se humbja në Laç nuk do ta ulë moralin e skuadrës dhe ajo po përgatitet për sfidat e rradhës për të bërë më të mirën e mundshme ndonëse kalendari në tre ndeshjet e ardhshme është shumë i vështirë. Deklarata e tij është bërë mbrëmjen e së hënës në emisionin “Sport Arena” në televizionin Rozafa ku ka qenë i ftuar për të diskutuar mbi Vllazninë.

“Them se nuk e meritonim aspak humbjen në Laç. Kemi luajtur më mirë se kundërshtari, kemi patur më shumë raste por në fund vendosën disa gabime tonat por edhe të gjyqtarit. Sigurisht që në pamje të parë humbja 0-3 në Laç mund të konsiderohet skandaloze por kurrsesi nuk ka qenë realitet i lojës së zhvilluar. Sa i takon ndeshjeve të ardhshme, ne do të shohim për më tej sepse na presin ndeshje të vështira dhe do mundohemi të bëjmë më të mirën e mundshme në to. Vllaznia ka treguar se mund të luajë si e barabartë me çdo skuadër dhe besoj se kështu do të ndodhë edhe këtë herë si ndaj Partizanit, ashtu edhe ndaj Skënderbeut dhe Kukësit”- ka thënë ai. Kruja është ngacmuar edhe për foton e hedhur në rrjetin social facebook ku ka dalë me ish- sulmuesin e Vllaznisë Tomislav Bushiç. Ai është një ish- dhe tifozët duan që të mos merren më me të shkuarën por me të tashmen dhe presin një bashkëpunim më të mirë të tij në fushë me sulmuesin aktual- Soza. Në lidhje me këto çështje ai ka thënë: “Nuk e di pse komentohen gjëra të tilla. Unë kam hedhur një foto ku kam dalë me Bushiç, ashtu siç kam bërë edhe me Sozën. Me këtë të fundit nuk ka asgjë, qëndrojmë shumë orë sëbashku si në stërvitje ashtu edhe në ambjente të tjera të qytetit kur dalim për kafe. Thjesht unë jam shprehur se me Bushiç më ka dalë më mirë lojë dhe me Sozën ende nuk kemi gjetur bashkëpunimin e duhur. Edhe trajneri po punon shumë me ne dhe shpresoj të bëjmë më të mirën e mundshme sëbashku”
© shkodrasport.com