Arsid Kruja, një nga titullarët e Vllaznisë, ka besim se skuadra do të rikthehet te tri pikët në sfidën e radhës në shtëpi me Skënderbeun. Sipas Krujës, Vllaznia ka mundësi që të marrë pikët maksimale edhe me ekipet më të mira të elitës jashtë fushe. “Në radhë të parë, duhet që të rikthehemi dhe të marrim 3 pikët duke qenë se luajmë në fushën tonë dhe me një skuadër me kualitete si: Skënderbeu. Kjo është më e vlefshmja për skuadrën tonë.
Na duhet fitorja dhe në këto javë duhet që të bëjmë mirë llogaritë dhe të largohemi sa më shpejt nga fundi. Barazimi konsiderohet si humbje, por ne duam fitoren. Ne kemi ekip që të fitojmë edhe me skuadrat kryesuese në fushën e tyre dhe këtë e kemi treguar”, – tha Arsid Kruja fillimisht në prononcimin e dhënë për “Rtshsport”.
Skënderbeu
“Jemi një skuadër me traditë ne dhe korçarët. Këhstu e ka futbolli. Sot mund të jesh poshtë, nesër në krye. Por, ne duhet që të japim më të mirën duke filluar që nga ndeshja me Skënderbeun e deri në fund”.
Europa
Vllaznia vijon pjesëmarrjen edhe në Kupën e Shqipërisë duke qenë se eliminoi Flamurtarin. Sipas Krujës, skuadra ka shanse në të dy “frontet” për të kapur Europën. “Normalisht që Kupa e Shqipërisë është një mundësi shumë e mirë për të na çuar në Europë. Por, ne nuk do të dorëzohemi edhe në kampionat. Do të respektojmë çdo ndeshje që na pret”, – tha Arsid Kruja, një nga pikat e forta të shkodranëve këtë sezon./vipsport/