Pasioni i saj për Vllazninë është i madh dhe për rrjedhojë nuk heziton të ndodhet çdo moment pranë skuadrës. Kryebashkiakja Ademi ka qenë edhe dje në tribunën e “Selman Stërmasit” për të ndjekur ndeshjen ndaj Tiranës dhe kuptohet që është kënaqur nga barazimi i arritur, ndonëse siç e thotë edhe vetë, mundësitë ishin edhe për të fituar.
“Kam parë në fushë një ekip që vazhdon me luajt bukur e zhvillon një lojë që të emocionon dhe ne lëvizim nga vendi çdo 30 sekonda dhe sidomos pjesa e dytë e ndeshjes ndaj Tiranës ishte shumë emocionuese. Me barazimin mund të them se deri diku jemi të kënaqur. Kuptohet që futbolli është një lojë dhe në lojë dhe nga ajo që bëmë sidomos në pjesën e dytë, mund dhe duhej të kishim marrë më shumë”- ka thënë ajo.
Ndërkohë në lidhje me pretendimet dhe ambicjet për ta parë këtë Vllazni kampione, kryebashkiakja Ademi ka dashur të ulë euforinë dhe për këtë arsye, i është referuar fjalëve që përmend shpesh trajneri Brdariç.
“Ne i besojmë profesionistëve dhe si rrjedhojë, jemi në të njëjtën linjë me atë çfarë thotë trajneri, pra objektivi jonë është për të parë ndeshje pas ndeshje. Ne duhet të bëjmë atë që kemi për detyrë, të luajmë bukur dhe të tentojmë të marrim maksimumin në çdo ndeshje”- është shprehur ajo.
Kryebashkiakja Ademi është pyetur edhe në lidhje me miratimin e buxhetit që në njëfarë mënyrë zgjidh problemin e rrogave të prapambetura për të cilat është shprehur:
“Ne nuk kemi patur probleme me rrogat, ne vazhdojmë ta mbështesim skuadrën. Unë dua të falenderon zotin Xhaferi publikisht, për korrektesën, seriozitetin dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj ekipit. Ne do të vazhdojmë ta mbështesim Vllazninë sëbashku dhe të bëjmë më të mirën për të”.
Një tjetër pyetje Ademit i është bërë edhe për çështjen e privatizimit të klubit për të cilën është shprehur: “Ka kërkesa për të blerë Vllazninë por unë për gjë jam e kënaqur, që procesi i shitjes së klubit ndodh kur skuadra ndodhet në pozicionin e saj më të mirë”./SHKODRA-SPORT.COM/