Nisja e kampionatit të ri për Vllazninë ka sjellë pranë saj sot edhe kryebashkiaken, njëkohësisht presidenten e klubit, zj. Voltana Ademi. Para seancës stërvitore, ajo ka mbërritur në ambjentet e fushës sportive “Reshit Rusi” dhe ka takuar futbollistët dhe stafin teknik. Nga sa bëhet e ditur nga faqja zyrtare e Bashkisë Shkodër, në fjalën e saj para skuadrës, kryebashkiakja ka garantuar mbështetjen dhe, po ashtu, ka kërkuar seriozitet maksimal nga ana e të gjithëve për të nderuar ashtu si duhet emrin që përfaqësojnë.
Ajo ka evidentuar disa probleme që u shfaqën një sezon më parë dhe, sipas saj, kurrsesi ato nuk duhet të shfaqen në sezonin e ri.Kryetarja e Bashkisë gjithashtu ka vlerësuar edhe faktin tjetër se tek Vllaznia më shumë futbollistë shkodranë sesa sivjet, nuk ka patur asnjëherë këto vitet e fundit dhe për rrjedhojë, ata e kanë për detyrë të japin edhe më shumë për të nderuar veten, familjet e tyre dhe qytetin. Në fund të takimit, zonja Ademi u ka bërë të ditur futbollistëve dhe stafit teknik se do të jetë pranë tyre edhe në ndeshjen e nesërme në Fier, për t’i dhënë gjithë mbështetjen e duhur Vllaznisë në mënyrë që ajo ta nisë me fitore kampionatin e ri.
© shkodrasport.com