Kryetarja e Bashkisë Shkodër, zonja Voltana Ademi ka qenë e ftuar në emisionin “Tonight” në televizionin “Star Plus” për të diskutuar mbi këtë periudhë të shkurtër që drejton këtë institucion dhe ndër çështjet për të cilat ajo ka folur gjatë ka qenë edhe Vllaznia e futbolli. Duke folur në lidhje me situatën në klub, ajo ka thënë: “Jam përpjekur që përmes organeve sikurse është Bordi, sikurse është Këshilli i Bashkisë, të mund të marrin ato hapa që në fakt vetë statuti i kësaj shoqërie aksionere ua jep për detyrë dhe përgjegjësi.

Nga ana ime, jam përpjekur që të reflektoj menjëherë, duke u bazuar në rezultatet e fundit të dobëta skuadrës, të mund të bëj ato hapa që janë të detyrueshëm por që janë e vetmja mundësi për të pasur një vëzhgim të afërt të çështjes, pa pasë të drejtën për të ndërhyrë direkt. Sepse këtë të drejtë nuk ma jep statuti aktual i kësaj shoqërie aksionere. Atëherë jam përpjekur të bëj një auditim dhe përmes tij të mund t’i sugjeroj Asamblesë, Bordit, t’i kërkoj të bëjë një raport për situatën dhe që të mund të ketë një diskutim në Këshill për atë se çfarë duhet të bëhet për të ardhmen. Këtë nuk dua ta lidh vetëm me fondet, nuk është një çështje që ka të bëjë me fondet. Bashkia Shkodër jep fonde dhe më së fundi, ka sërish një kërkesë për vazhdimësinë e fondeve. Por mendoj se fondet, edhe për shkak të rezultateve të dobëta, nuk janë argumenti i vetëm për mungesën e rezultateve. Përkundrazi, një menaxhim më i mirë edhe në aspektin teknik por edhe në aspektin e një marketingu më të mirë, besoj se situata në klub do ishte më e mirë. Jam duke dhënë një sugjerim si kryetare e Bashkisë Shkodër por me një tagër shumë të limituar në vendimmarrje të drejtëpërdrejtë. Prandaj kam kërkuar që Bordi të mblidhet dhe të ketë një raport mbi situatën, që të mund të ketë disa probleme që ne të njihemi me këto shqetësime dhe këto të mund të trajtohen në Këshillin e Bashkisë. Sa i takon diskutimeve apo kërkesave për dorëheqje, kuptohet që kjo ka lidhje me administrimin e klubit të futbollit Vllaznia, pra është pjesë e administrimit, unë mendoj se do të jetë Bordi ai që pasi të analizojë situatën, të ketë një vendimmarrje, kuptohet bazuar në analizën që ata do të bëjnë, të ketë jo vetëm kërkesë për fonde, sepse ato do t’i miratojmë në mbledhjen më të parë që kemi, por të ketë edhe më shumë mbështetje në aspektin teknik në mënyrë që skuadra të dalë nga momenti i keq që po kalon. Nuk dua të hyj në aspekte teknike, pavarësisht se e njoh mirë edhe këtë aspekt, por nuk dua të ndërhyj në kompetencat e atyre që punojnë në klub, megjithatë jam kritike mbi situatën dhe kërkoj që sa më shpejt të jetë e mundur të ndërmerren hapat e duhur në mënyrë që të ecim ndryshe.Ndërkohë përveç auditimit, unë kam filluar të marr disa oferta nga disa ekspertë kontabël që mund të bëjnë një vlerësim korrekt të të gjithë aseteve të klubit të futbollit Vllaznia, e për këtë kuptohet që do të duhet t’i pagujmë ato për këshillim, në mënyrë që të nxjerrim vlerën reale sesa kushton Vllaznia dhe pastaj të shkojë në Këshill propozimi për shitjen dhe shumën sesa aksione do shesim e për të shkuar kështu drejt një ankandi të hapur për të gjithë ata të interesuar që në mënyrë formale dhe zyrtare të duan të blejnë aksionet e Vllaznisë. Kështu funksionon në gjithë botën, gjërat kuptohet që nuk ndodhin për një ditë por ajo që dua ta bëj, dhe ta bëj mirë, është që të gjithë hapat që do hidhen për KF Vllazninë, të mos kthehemi më mbrapsht sepse historia e pesë viteve të fundit ka treguar se edhe marëdhëniet e realizuara me individë apo subjekte nuk kanë qenë të qarta, transparente, madje i kanë sjellë pasoja të mëdha financiare klubit dhe Bashkisë Shkodër me detyrimet financiare të mospaguara. Në vazhdimësi kurrsesi nuk do të ndodhë kështu. Kjo është pjesë e auditimit që ne po realizojmë dhe nëse do të bëjmë të mundur realizimin e procedurës për kërkon ligji për nxjerrjen në ankand të përqindjes së aksioneve, ndoshta do të jemi të parët në Shqipëri që po veprojmë kështu, të krijojmë një model që mund të funksionojë kudo pastaj dhe të ketë vlera. Kam pritur të gjithë ato që kanë shprehur interes për të investuar , për të dhënë informacionin e duhur dhe në fakt ka një problem për një investim që ata mund të bëjnë në këto momente por ai investim nuk mund t’u njihet”. Kryetarja Ademi ka folur shkurt edhe për çështjen e stadiumit “Loro Boriçi” duke hedhur poshtë ato çfarë thuhen se institucioni që ajo drejton ka vonuar punimet ngaqë nuk ka firmosur kontratën me Federatën prandaj ka dhënë përgjigje edhe për këtë duke thënë: “Sa i takon çështjes së stadiumit, unë jam marrë me të pa nisur zyrtarisht punën si kryetare e Bashkisë sepse doja të përshpejtoja procedurat. E kemi bërë kontratën edhe pas diskutimeve që kemi patur me Federatën dhe në mbledhjen më të parë të Këshillit Bashkiak, ajo do të kalojë për miratim. Dhe ne shpresojmë të mbarojë sa më shpejt ky stadium sepse do jetë në të mirë jo vetëm të skuadrës por edhe të Shkodrës sepse do t’i sjellë të ardhura e prandaj kam shpejtuar ta mbyllë atë”.
www.shkodrasport.com