Pak ditë më parë siç ju kemi informuar është zhvilluar Kampionati Ballkanik i xhudos për të rritur. Në këtë kampionat nuk kanë munguar medalistët për sportistët tanë ku kanë spikatur veçanërisht ato të Vllaznisë.

Roland Vasija zuri vendin e parë, mori medalje të artë dhe u shpall kampion Ballkani ndërsa Aurora e Luigj Shkoza zunë vende të treta dhe morën medalje bronzi.

Pikërisht për këtë sukses të madh të këtyre sportistëve, pasditen e sotme kryetarja e Bashkisë Shkodër, zj. Voltana Ademi i ka pritur këta tre sportistë në zyrën e saj.

“Kënaqësi t’i pres në zyrë dhe t’i uroj për medaljet Roland Vasinë- fitues i medaljes së artë dhe Aurora e Luigj Shkoza- fitues të medaljeve të bronxta.

Aurora është e para sportiste femër në këtë sport që sjell një medalje për judo-n shqiptare të femrave. Rezultatet fantastike janë fryt i një pune shumëvjeçare të vetë këtyre sportistëve, nën drejtimin e mjeshtrit Anton Shkoza, pioner i judo-s shqiptare.

Mbështetja e deritanishme e Bashkisë së Shkodrës do të vazhdojë, duke nisur me sigurimin e mjediseve për të zhvilluar stërvitje dhe me plotësimin e nevojave të tjera për këtë sport”- shkruhet në faqen zyrtare të Bashkisë Shkodër duke iu referuar fjalës përshëndetëse të kryetares Ademi për këta sportistë medalistë.
© shkodrasport.com