Tek Vllaznia tani e tutje gjërat do të funksionojnë ndryshe dhe kjo as që vihet në diskutim. Kryetarja e re e Bashkisë Shkodër, zj. Voltana Ademi, kërkon që funksionimi i klubit të jetë shumë më ndryshe dhe jo më kot ajo ka kërkuar audit të fondeve dhe mënyrë së marrjes së vendimeve që kanë patur të bëjnë me funksionimin e klubit. Ditën e sotme ka qenë vetë kryebashkiakja Ademi ajo që përmes një deklarate për shtyp ka bërë të ditur të gjitha rrugët ligjore që po ndjek për nxjerrjen e klubit nga pozitat ku ndodhet aktualisht. “Prej kohësh ndjek me shqetësim situatën e Klubit të Futbollit “Vllaznia”.
Shqetësim i vazhdueshëm kanë qenë dhe mbeten rezultatet shumë të dobëta sportive të Vllaznisë, por dhe pretendimet për keqadministrimin financiar dhe teknik të klubit.Në kushtet e një situate në përkeqësim kam ushtruar të vetmin tagër që më japin ligjet në fuqi si kryetare e Bashkisë Shkodër, duke ndërmarrë një proces kontrolli mbi administrimin, mënyrën e marrjes së vendimeve për skuadrën dhe menaxhimin e financave. Raporti paraprak i grupit të auditimit pritet të jetë i gatshëm më 30 shtator. Në të njëjtën kohë kam kërkuar mbledhjen urgjente të Këshillit Mbikëqyrës ose Bordit për të analizuar me përgjegjësi gjendjen e vështirë të Klubit të Futbollit “Vllaznia”. Raporti dhe konkluzionet e mbledhjes urgjente të Këshillit Mbikëqyrës kërkoj të paraqiten për t’u shqyrtuar në mbledhjen më të parë të Këshillit Bashkiak (Asamblesë së përgjithshme) si pronar i shoqërisë tregtare Klubi i Futbollit “Vllaznia”- thuhet në deklaratën e shpërndarë për mediat. Duket qartë se shumë shpejt gjërat do fillojnë të lëvizin. Në fillim auditi, më pas mbledhjet e në fund natyrisht që diçka do ketë por gjithmonë duke shpresuar që të merren vendimet e duhura për ta futur Vllazninë sa më shpejt në shinat e duhura.
© shkodrasport.com