Ajo çfarë duan të gjithë në Shkodër, është premtuar dje edhe nga kryebashkiakja e këtij qyteti, zj. Voltana Ademi. Bëhet fjalë për privatimizin e klubit të futbollit Vllaznia. Premtimi i saj është bërë gjatë një dëgjese publike me qytetarët të zhvilluar dje në drekë në ambjentet e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. Në këtë takim, numri 1 i kësaj Bashkie ka folur për gjithë punën e bërë gjatë vitit 2016, janë bërë prezent të gjithë investimet e bëra dhe natyrisht që ndër paratë e shpenzuara, është ndaluar edhe tek fondet e lëvruara për sportin.
Pikërisht për këtë temë, zj.Ademi ka dhënë edhe lajmin e mirë kur para një auditori të mbushur ka deklaruar: “Besoj se shumë shpejt do të nisë procesi i privatizimit të Klubit të Futbollit Vllaznia. është një proces që e kam premtuar prej kohësh por besoj se tashmë ka ardhur momenti ta bëjmë realitet atë në mënyrë që të gjejmë mënyrën e duhur për drejtimin e Vllaznisë në të ardhmen”. Nëse ka deklaruar këtë gjë, tashmë duhet pritur se kur kjo çështje do të shtrohet për diskutim në Këshillin Bashkiak. Për këtë vit sigurisht që gjithçka është mbyllur por me siguri që në muajt e parë të vitit që vjen, ky proces do të nisë të marrë jetë. Kuptohet që për gjashtëmujorin e parë nuk mund të bëhet gjë sepse sezoni është në vijim por e rëndësishme është që në verën e ardhshme, Vllaznia të “gdhihet” me një pronar të ri.
© shkodrasport.com