Pas Bordit Mbikëqyrës, edhe vetë kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi u ka dhënë garancinë drejtuesve të klubit Vllaznia për vazhdimin e punës për ndërtimin e skuadrës së sezonit të ri. Takimi me numrin 1 të qytetit mësohet të jetë zhvilluar ditën e djeshme dhe në të kanë marrë pjesë administrator Gjyrezi, drejtori sportiv Grima dhe trajneri Cungu. Takimi ka qenë I gjatë dhe janë diskutuar për shumë gjëra. Nga sa mësohet kryebashkiakja I ka dhënë sërish garancinë maksimale drejtuesve të klubit dhe atij të stafit teknik, për një mbështetje si morale ashtu edhe financiare për ndërtimin e një skuadre më të mirë në sezonin e ri futbollistik.

Natyrisht që një gjë e tillë është shumë e rëndësishme sepse në fakt, ajo është drejtuesja më e lartë e klubit. Treshja Gjyrezi- Grima- Cungu, pas marrjes së kësaj garancie pritet të nisin menjëherë punë për ndërtimin e skuadrës dhe gjetjen e lojtarëve cilësorë. Kontaktet kanë nisur menjëherë dhe nga dita e nesërme nuk përjashtohte mundësia që të vijnë edhe firmat e para të futbollistëve që duan të veshin fanellën e Vllaznisë në sezonin e ri. Duhet theksuar se për momentin, kuqeblutë nuk kanë marrë asnjë lojtar, përkundrazi janë dobësuar në krahasim me sezonin që sapo u mbyll. Kjo ngaqë janë larguar Arbri për tek Kukësi dhe Hakaj për tek Partizani. Përveç tyre janë edhe disa futbollistë të tjerë të cilëve u ka përfunduar kontrata dhe ende nuk dihet nëse do të rinovojnë apo jo. Këtu përfshihen portieri Selimaj si dhe mbrojtësit Cicmil, Vrapi e Marku. Gjithsesi me interes pritet të shohim se cilët futbollistë do të vijnë tek Vllaznia për sezonin e ri. Emri që po përflitet më shumë aktualisht është ai I shkodranit Olsi Gocaj që mund të rikthehet sërish tek kuqeblutë e po ashtu edhe Arsid Kruja. Megjithatë, ata nuk mjaftojnë sepse duhen edhe futbollistë të tjerë, duke nisur nga porta, mbrojtja, mesfusha dhe për të përfunduar në sulm.

© shkodrasport.com