Në ndeshjen miqësore Vllaznia- Tërbuni, ka qenë e pranishme edhe kryetarja e Bashkisë Shkodër, zj. Voltana Ademi. Ajo e ka ndjekur ndeshjen nga fillimi e deri në fund dhe përkrah kryetarit të Këshillit Mbikëqyrës të KF Vllaznia sh.a Shpëtim Quku, administratorit Astrit Gjyrezi dhe drejtorit sportiv Eugent Zeka.
Në fundin e takimit ndërkohë ka biseduar për disa minuta edhe me pjestarët e stafit teknik dhe në fund, është treguar e gatshme të flasë edhe për gazetarët duke dhënë intervistën e mëposhtme:
E pranishme në ndeshjen miqësore çka do të thotë se ka një vëmendje nga ana e juaj ndaj skuadrës kuqeblu…
Vllaznia ka një vëmendje nga të gjithë, është një mbështetje i japim në emër të qytetit. Mendoj se Vllaznia ka nevojë sigurisht edhe për imazhin publik dhe mbështetjen publike e kërkojmë nga të gjithë mediet në këtë rast, sidomos të Shkodrës, për këndvështrimin pozitiv që duhet të ketë skuadra. Skuadra ka një fytyrë tjetër, është më e lidhur, po funksionon më shumë në grup, futet në fazë përgatitore më mirë se një vit më parë. Përsëri jemi në kërkim për lojtarë të tjerë, kemi bërë disa hapa përpara, vazhdojmë të kërkojmë. Besojmë se kemi bërë hapa pozitivë. Të paktën kjo konfirmohet nga stafi teknik në kontaktet e vazhdueshme që ne mbajmë me to.
Çfarë po bëhet për fazën përgatitore, a do ta ketë Vllaznia një të tillë për këtë pragkampionati?
Janë bërë përgatitjet, të hënën ekipi do të niset dhe do të ketë një fazë të plotë përgatitore. Sigurisht i paraprijmë kampionatit që fillon në dhjetëditëshin e parë të shtatorit, prandaj jemi në kohën e duhur dhe të kthehen në kohën e duhur. E kjo në mënyrë që të kapim kampionatin, ashtu sikurse kërkohet dhe në formën e duhur teknikisht.
Po me financat a ka lëvizje konkrete, sepse thuhet se është problem për momentin një gjë e tillë për ecurinë e skuadrës?
Aktualisht presim konfirmimin e prefektit të qarkut Shkodër dhe të vazhdojmë normalisht edhe ne me pagesat si gjithmonë. Vendimi për kalimin e fondeve për llogari të klubit Vllaznia është miratuar në Këshillin Bashkiak dhe brenda dhjetë ditëve prefekti duhet të shprehet. Deri më tani jemi në procedurë dhe sigurisht vazhdon puna si gjithmonë, nuk ka ndonjë gjë të veçantë.
Në lidhje me privatizimin?
Aktualisht kemi marrë një konsulencë të huaj. Në Shqipëri nuk ka, në asnjë rast nuk ka ndodhur një vlerësim i një shoqërie të tillë. Që do të thotë se në të gjitha kontaktet që ne kemi pasur, formale dhe informale me sipërmarrje vlerësuese, ato kanë kërkuar një asistence ndërkombëtare për të bërë të mundur vlerësimin. Kjo për të hartuar temat e referencës dhe pastaj për të shkuar drejt ankandit.