Alban Xhaferi nuk do të jetë i vetëm te Vllaznia. Planet e Bashkisë Shkodër janë totalisht të tjera, ndërsa po mundohen që të “thithin” të tjerë donatorë në klub. Këtë e ka thënë hapur vetë Voltana Ademi, në një prononcim të dhënë për “TV1 Channel”.

“Po përpiqemi që të thithim të tjerë donatorë në ekip, duke mos u ndalur vetëm te një. Deri më tani janë dy që po bashkëpunojmë, por presim që të kemi edhe të tjerë.

Në fakt, kemi disa oferta bashkëpunimi për të rritur atë që quhet infrastruktura shtesë”, u shpreh fillimisht kryebashkiakja.

Ajo foli edhe për risinë që kanë në plan të bëjnë me kontratat e lojtarëve. Për të qenë transparentë me publikun, do të hedhin gjithçka në faqen zyrtare të klubit.

“Do të jetë risi mendoj ajo që kemi në plan të bëjmë. Po mendojmë që të kemi komunikim të vazhdueshëm me publikun dhe këtë sigurisht do ta bëjmë me anë të uebfaqes së klubit të futbollit Vllaznia.

Shifrat që kanë kontratat e lojtarëve, do të jenë të aksesueshme për të gjithë. Jemi angazhuar për të parë kontratat e të gjithë lojtarëve, në bazë të performancës”, u shpreh kryetarja.