Ndeshja e djeshme në mes Vllaznia B dhe Tërbunit ka qenë e rëndësishme për të dy skuadrat por sidomos për atë pukjane. Ajo ndodhej në vendin e parë në renditje dhe një fitore edhe në Shkodër, do të thoshte një hap i rëndësishëm për arritjen e objektivit, ngjitjen në kategorinë e parë.

Për të mbështetur skuadrën i pranishëm në fushën “Reshit Rusi” ka qenë edhe kryebashkiaku i Pukës, njëkohësisht edhe president i Tërbunit, Gjon Gjonaj. Kjo shikohet edhe nga fotoja e këtij shkrimi. Por jo vetëm kaq.

Gazetari i njohur pukjan Gani Pema “zbulon” një detaj shumë interesant që ka të bëjë me kryebashkiakun- president. “Kryetari Gjonaj po i qëndron shumë afër ekipit duke ia plotësuar të gjitha kërkesat.

Jo vetëm që nuk mungon në asnjë ndeshje, jo vetëm që është treguar korrekt me dhënien e rrogave çdo muaj në kohë, por këtë herë akordoi edhe një premio të majme për ekipin në rast fitoreje.

Fakti që Tërbuni humbi, e ka mërzitur shumë kryetarin Gjonaj dhe menjëherë sapo skuadra pësoi golin e dytë, u largua menjëherë nga fusha. Besoj se futbollistët dhe stafi teknik duhet t’ia shpërblejnë atij këtë korrektësi që po tregon”- është shprehur Pema.
© shkodrasport.com