Ndryshimi i kalendarit të ndeshjeve të Superiores në mesjavë, me shtyrjen e takimit mes Vllaznisë dhe Lushnjës, ka sjellë jo pak rrëmujë në futbollin shqiptar. Shumë klube kanë shprehur pakënaqësi për situatën e krijuar dhe favorizimin ndaj skuadrave të ndryshme. Për të shtuar zërat e pakënaqësisë ka menduar vetë sekretari i Lushnjës, Irakli Zaka, i cili deklaroi se FSHF nuk kishte kërkuar mendimin e klubit për ta bërë një gjë të tillë.
“E kontestojmë vendimin se na penalizon. Vendimi është marrë nga FSHF pa na pyetur aspak ne”, tha ai. Këto fjalë u përgënjeshtruan nga FSHF, e cila i bëri të ditur drejtuesit të lushnjarëve se miratimin e kishte marrë nga “eprori” i tij, kryebashkiaku Fatos Tushe, i cili është njëkohësisht edhe president i klubit. “Vip Sport” ka kontaktuar me z. Tushe dhe ky i fundit ka konfirmuar se ka qenë ai që ka kontaktuar personalisht me FSHF-në për ndryshimin e datës së ndeshjes. “Kam dhënë ‘OK’ për shtyrjen e ndeshjes dhe sekretari nuk dinte gjë”, ishin fjalët e tij, duke konfirmuar kësisoj se Zaka nuk ishte në dijeni të vendimeve që ishin marrë për klubin, ndonëse ka detyrën që të merret direkt me çështje të tilla.