Pasditen e djeshme kryetari I Bashkisë së Shkodrës, që është njëkohësisht edhe president I Vllaznisë Lorenc Luka, ka patur një takim me drejtuesit e tjerë të lartë të klubit por edhe me ato të stafit drejtues. Kanë marrë pjesë në këtë takim të zhvilluar në zyrën e kryebashkiakut, kryetari I këshillit mbikqyrës të Vllaznisë Ritvan Troshani, administrator Fatos Gjyrezi, drejtori sportiv Armir Grima dhe trajneri Shpëtim Duro.

Siç njofton zyra e shtypit pranë klubit Vllaznia, takimi ka zgjatur 60 minuta dhe gjithë të pranishmit në takim kanë qenë të mendimit se ecuria e deritanishme e skuadrës ka qenë e mirë por me mundësitë për të bërë gjëra edhe më të mira në vazhdim në mënyrë që ajo të arrijë objektivat që ka për këtë sezon. Nga sa merret vesh, z. Luka I ka kërkuar më shumë grintë futbollistëve në fushë dhe njëkohësisht përmirësim sa më të shpejtë të gabimeve të konstatuara deri tani. Po ashtu, numri 1 I klubit ka kërkuar edhe më shumë përgjegjësi nga futbollistët për fanellën që mbajnë të veshur dhe emrin e klubit që përfaqësojnë.  Kanë folur në këtë takim të gjithë me rradhë, Troshani, Gjyrezi, Grima dhe në fund edhe trajneri Duro. Ai mësohet të jetë shprehur se skuadra aktualisht është Brenda objektivave të saj për të qenë në mes 3-4 ekipeve më të mira të kampionatit dhe sipas tij, puna vazhdon për rritjen në klasifikim. Sigurisht që në këtë takim është diskutuar edhe për merkaton e mundshme të janarit teksa trajnerit I është kërkuar të bëjë një vlerësim të hollësishëm për çdo lojtar dhe njëkohësisht edhe propozimet konkrete se ku mund të ndërhyhet në merkato. Megjithatë kjo mbetet për t’u parë në vazhdim. E rëndësishme është që një takim I tillë ka ardhur pikërisht në momentet kur skuadra ka hyrë në një moment shumë të rëndësishëm. është në vendet e para të renditjes, para nisjes së ndeshjeve të vështira që ofron kalendari dhe për më tepër, edhe para nisjes së ndeshjeve të rëndësishme edhe për Kupën e Shqipërisë, një trofe tjetër ky që pretendohet nga kuqeblutë. Presidenti Luka ka garantuar mbështetjen e tij maksimale ndaj skuadrës, madje edhe prani më të shpeshtë të tij si në ndeshje ashtu edhe në seancat stërvitore.
www.shkodrasport.com