Kryetari I Bashkisë Shkodër Lorenc Luka ka inspektuar punimet e bëra në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. I ndjekur edhe nga kryetari I komisionit të sportit në Këshillin Bashkiak Xhemal Bushati, inspektori I Bashkisë për sportin Beniamin Idrizi, ata kanë takuar shefin e klubit shumësportësh Vllaznia Mark Kroqi dhe janë njohur prej tij me punimet e bëra dhe me stadin ku ndodhen punimet e fundit në këtë impiant sportiv. Kryebashkiaku Luka është shprehur I kënaqur me investimin e bërë duke thënë se lojërat me dorë e meriton një gjë të tillë.
“Prej vitesh kemi investuar në rrugë dhe infrastrukturë por besoj se ishte e domosdoshme të investonim edhe në këtë impiant sportiv. Lojërat me dorë e meritonin këtë gjë sepse investimi në pallatin e sportit ishte mëse i domosdoshëm dhe përpos kësaj, rezultatet e ekipeve të lojërave me dorë, na ngacmuan edhe më shumë. Pa harruar pastaj edhe pjesmarrjen e ekipit të basketbollit në Ligën Ballkanike që është një eveniment shumë i rëndësishëm. Shoh se punimet janë bërë në një cilësi shumë të mirë sidomos parketi dhe tashmë kanë mbetur edhe disa punime të tjera tek dhomat e zhveshjes etj. Me kënaqësi konstatoj se pallati i sportit ka marrë fytyrë krejt tjetër dhe besoj se në të ardhmen do të ketë edhe investime të tjera në infrasturkturën sportive”- ka thënë kryebashkiaku Luka.Punimet thuajse kanë përfunduar tashmë dhe kanë mbetur vetëm disa gjëra të vogla për t’u konkretizuar. Ditën e shtunë, do të mbërrijë në Shkodër presidenti I Ligës Ballkanike të Basketbollit për të parë pikërisht punimet e bëra sepse siç dihet, këtë sezon Vllaznia do të përfaqësojë Shqipërinë në këtë Ligë dhe rikonstruksioni I pallatit të sportit ka qenë një nga kushtet e vëna për pjesmarrjen në këtë aktivitet të rëndësishëm.
Gjergj KOLA