Në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak të Shkodrës, debati më i nxehtë ka qenë ai i sportit pikërisht kalimi i fushës sportive “Reshit Rusi” si kapital i shoqërisë aksionere “Vllaznia”. Debatet kanë qenë të nxehta dhe diskutimet e këshilltarëve i kanë dhënë pamjen e një rrëmuje të vërtetë kësaj seance. Njëri thoshte “pse duhet t’i kalojë futbollit kjo fushë”, tjetri “A mund të ndërtohen pallate në atë tokë”.

Ka patur jo pak dkiskutime edhe për çështjen e pronësisë së kësaj fushe teksa këshilltarë të ndryshëm kanë dhënë mendimin se më mirë se t’i kalojë futbollit, ajo fushë duhet t’i jepet pikësëpari pronarëve legjitim të tokës. Por nga ana tjetër, ka patur edhe nga ata këshilltarë që kanë kërkuar edhe kalimin e stadiumit “Loro Boriçi” në varësi të shoqërisë aksionere Vllaznia, vetëm e vetëm për të rritur kapitalin e saj në mënyrë që në momentin e shitjes, klubi të kishte një vlerë goxha të madhe. Në këto momente, ka ndërhyrë me diskutimin e tij kryebashkiaku Lorenc Luka që ka deklaruar: “Mos u merrni me stadiumin “Loro Boriçi”. Ai ka qenë pronë e Shkodrës dhe do mbesë e tillë sepse nuk do të privatizohet asnjëherë”. Kjo deklaratë ka mbyllur për momentin diskutimin për këtë çështje, megjithatë ajo e fushës “Reshit Rusi” solli aq shumë rrëmujë saqë u ra dakord që ditën e hënë të javës që vjen, Këshilli Bashkiak të mblidhet në një mbledhje të posaçme, jashtë rradhe, vetëm për të diskutuar këto problemet e sportit. Në këtë mënyrë, me kalimin e futbollit në varësi të Bashkisë Shkodër, debatet për të kanë qenë të shumta në çdo mbledhje të Këshillit Bashkiak.