Çështja e trajnerit te Vllaznia është shtyrë sërish për t’u zgjidhur në një tjetër ditë. Pritej që ditën e djeshme të kishte diçka konkrete për emrin që do të drejtojë skuadrën në sezonin e ri, mirëpo gjërat janë sërish pezull. Nga sa mësohet, kryebashkiaku Lorenc Luka ka mbajtur “peng” emrin e ri të pankinës shkodrane, për shkak të disa angazhimeve personale. Edhe pse administratori Shaba dhe drejtori teknik Grima kanë bërë negociata të ndryshme në këtë periudhë, asgjë nuk mund të zyrtarizohet pa u marrë më parë miratimi i kryebashkiakut Luka. Në fakt, u mendua se emërimi i Duros ishte fakt i kryer, por me kalimin e ditëve gjërat u ftohën dhe kësisoj duket se gjithçka ka ngecur plani konkret që ka klubi për sezonin e ri.

Ekip pretendent apo jo? Në Bashki janë të bindur se do të ndërtojnë një Vllazni, e cila do synojë titullin kampion. Mirëpo, ka edhe zëra se buxheti nuk është aq i madh, nga sa mendohet. Për momentin, në një situatë pritjeje janë tre trajnerë: Armando Cungu, Shpëtim Duro dhe Ardian Kozniku. Zvarritjet kanë qenë të shumta, ndërkohë që mësohet se të dërguarit e Lukës kanë takuar së fundmi në Kroaci trajnerin kosovar, Kozniku. Nuk dihet nëse ky i fundit ka pranuar në parim ofertën e kuqebluve, në një kohë që zyrtarisht nga ana e klubit nuk jepet asnjë detaj. Drejtori teknik, Armir Grima, ka qenë në Slloveni, por mësohet se udhëtimi i tij ka pasur si synim kontaktin me disa lojtarë, të cilët mund të afrohen te Vllaznia gjatë merkatos së verës.
Kërkesat – Tani që drejtuesit e klubit janë njohur me atë që teknikët ofrojnë dhe kërkojnë trajnerët kandidatë, gjithçka ka mbetur në dorën e tyre. Përgjigjja e parë në mënyrë indirekte është dhënë para pak ditësh nga ish-tekniku i Kombëtares Shpresa, Artan Bushati. Ky i fundit e cilësoi veten të tërhequr nga gara për kreun e pankinës shkodrane. Tashmë duket se shumë pranë një largimi të mundshëm është edhe tiranasi Shpëtim Duro. Ai u kishte dhënë një “ultimatum” drejtuesve të klubit, por këta të fundit nuk i kanë kthyer një përgjigje përfundimtare. Vonesat në caktimin e trajnerit nuk janë kurrsesi në dobi të të ardhmes së klubit shkodran. Madje specialistët vendës e cilësojnë të vonuar startimin e punës në klubin shkodran. Çdo ditë vonese duket se do të ndikojë direkt në ecurinë e ndërtimit të kësaj skuadre. Moszyrtarizimi i trajnerit mban “peng” edhe merkaton e Vllaznisë.
Admir Uruçi