© shkodrasport.com
Kryebashkiaku Luka pret ekipin e basketbollit, fitues të Kupës
Kryebashkiaku i Shkodrës Lorenc Luka ka pritur dje në zyrën e tij në nga ekipet më të mira sportive të këtij qyteti. Suksesi i ekipit të basketbollit të Vllaznisë për meshkuj, i cili pas një pauze prej 18 vitesh, arrin të fitojë trofeun e Kupës së Shqipërisë, nuk ka kaluar pa marrë vlerësimet e duhura nga ana e institucionit vendor. Kryebashkiaku Lorenc Luka ka pritur dje ekipin së bashku me stafin teknik me në krye trajnerin, Bledar Gjeçaj. Pasi i ka uruar për suksesin e arritur si dhe atmosferen mjaft entuziaste që ka sjellë kjo fitore në komunitetin e qytetit të Shkodrës, Luka ka garantuar basketbollistët dhe drejtuesit e tyre për një mbështetje të gjithanshme nga ana e institucionit që ai drejton. Drejtori i klubit shumësportesh Vllaznia, ish- volejbollisti i njohur, Mark Krroqi, në emër të të gjithë skuadrës i ka shprehur mirënjohjen kryetarit te bashkise për pritjen e tij dhe ka premtuar se ekipi i basketbollit ka si objektiv te fitoje trofeun e titullit kampion si dhe të Superkupës. Nga ana tjetër, vetë basketbollistët i kanë kërkuar kryebashkiakut që të gjejë kohën e duhur në mënyrë që kur në pallatin e sportit të ketë ndeshje të rëndësishme basketbolli, të jetë edhe ai prezent për të shijuar emocionet që po dhuron ky ekip me rezultatet e tij.