Dita e djeshme ka shënuar edhe një takim pune në mes drejtuesve të lartë të klubit Vllaznia me trajnerin e kësaj skuadre. Kështu, menjëherë pas stërvitjes së paradites, drejtori sportiv Armir Grima bashkë me trajnerin Agim Canaj kanë nxituar drejt zyrave të Bashkisë ku I ka pritur kryetari I saj dhe njëkohësisht presidenti I klubit, Lorenc Luka.
Drejtues të klubit bëjnë të ditur për mediat se mes tyre është diskutuar për të ardhmen e skuadrës. Nga sa merret vesh, kryebashkiaku Luka ka siguruar dyshen Grima- Canaj se institucioni që ai drejton po merr të gjitha masat për t’ia plotësuar kushtet skuadrës, kryesisht ato nga ana financiare sepse për të tjerat kuptohet që nuk ka probleme. Sipas z. Luka, pranë Vllaznisë po ofrohen biznesmenë të ndryshëm në rolin e donatorëve apo dhe me reklamat e tyre, për t’I qëndruar pranë asaj dhe në këtë mënyrë, do të krijohet edhe fondi I duhur për ta kaluar me sukses këtë sezon futbollistik. Një premtim I tillë I numrit 1 të qytetit, sigurisht që I ka bërë të ndihen mirë drejtorin sportiv dhe trajnerin e kuqebluve të cilat tashmë duhet t’I shtrëngohen mirë punës edhe për kompletimin e skuadrës por edhe për stërvitjen ashtu siç duhet të saj.