Në mesditën e sotme në zyrën e kryebashkiakut Luka, ka qenë vetë ky i fundit që pasi ka firmosur kontratën me trajnerin e ri të Vllaznisë Shpëtim Duron, e ka prezantuar atë para mediave. Ja një pjesë e fjalës që ai ka mbajtur: “Të nderuar veteran të futbollit të Shkodrës dhe njëkohësisht dhe anëtarë të “Këshillit të Trajnerëve” që unë do e vlerësoja maksimalisht për kontributin që keni dhënë gjatë kësaj periudhe. Me agnazhim maksimal gjatë këtyre ditëve duke zgjedhë një autoritet që ti shërbejë sa më mirë ringritjes së klubit të futbollit Vllaznia, pikërisht me ato standarte që vetë kërkoni së bashku me vetë komunitetin e këtij qyteti.

Mendoj se edhe vetë skuadra i kërkon këto standarte për një ekip që duhet të pretendojë. E di që ka ndjeshmëri edhe nga ana e tifozëve, ndaj kjo e bën që Bashkia Shkodër të jetë e detyruar për të realizuar ato aspirata që duhet të ketë një ekip i tillë. Pas gjithë këtyre diskutimeve ne jemi këtu për të konkretizuar me propozimet që ju i diskutuar dhe i sollët pranë Bashkisë si kanditatura më e plotë, më e formuar, më e kualifikuar, me një cv shumë të mirë dhe premtuese. Por dhe me një figurë morale dhe një ndërgjegje që na siguron se ekipi i Vllaznisë, duke i kompletuar të gjitha elementet ti realizojmë nëpërmjet autoritetit të trajnerit të mirënjohur, do thoja dhe intelektualit të futbollit, z. Shpëtim Duro.
Kjo është një përgjegjësi e madhe, kërkon një impenjim jo vetëm nga strukturat drejtuese por dhe nga vetë lojtarët e Vllaznisë. Ne kemi besim tek ju si “Këshill” pasi ju dini të zgjidhni në bazë të aftësive profesionale, dini të propozoni e vazhdoni të punoni me atë përgjegjësi që keni luajtur futboll dhe keni rritur emrin e kësaj skuadre. Në këtë kuadër besoj se bashkangjitet shumë mirë dhe trajneri Duro që ka patur rezultate të mira. Por njëkohësisht dhe mënyra se si ai e ndërton marëdhënien e bashkëpunimin, ne besojmë shumë se do të kemi një realitet shumë të suksesshëm tek klubi i futbollit Vllaznia. Këtë e presim ne si institucion përgjegjës, tifozët dhe të gjithë ne. Unë i uroj mirëseardhjen trajnerit Duro. E siguroj që do të ketë mbështetjen maksimale. Duke ruajtur ato detyrime mes palëve pa hyrë në punë teknike por duke ruajtur secili pozicionin e tij në drejtim të përmbushjes së detyrimeve që ne kemi, që kontrata që ne firmosim sot i ka të saktësuara mjaft mirë. Uroj që ky fillim i mbarë të jetë një kurorëzim i suksesit të klubit Vllaznia. Z. Duro, unë ju sugjeroj edhe diçka tjetër. Të bashkoheni me shpirtin e një tifozi, shkodran, të një qytetari shkodran por dhe të një veteran shkodranë që të kontribuoni sa ma shumë për ekipin tonë”.
www.shkodrasport.com