Dy javë më parë Vllaznia dhe Veleçiku kanë zhvilluar një ballafaqim shumë interesant të vlefshëm për kategorinë e parë të futbollit shqiptar.

Por duket se jo vetëm Vllaznia nuk e ka vendin në këtë kategori por edhe Veleçiku i Koplikut. Ka qenë vetë kryebashkiaku i Malësisë së Madhe Tonin Marinaj ai që e ka deklaruar një gjë të tillë teksa ka qenë i ftuar në emisionin “Sport Show” në TV1 Channel.

Ai vetë mban edhe pozicionin e presidentit të Veleçikut dhe duke folur në lidhje me ecurinë e kësaj skuadre, thotë: “Kemi bërë një ecuri të mirë dhe besoj se kemi merituar çdo gjë që kemi arritur deri më tani.

Megjithatë, me brumin që ka kjo zonë, Shkodra dhe Malësia, e them me plot bindje se Veriu i ka potencialet për të patur dy ekipe jo në kategori të parë por në Superligë.

Jam i bindur se Vllaznia në fund të sezonit do të ngjitet në mes ekipeve më të mira të vendit, por nuk është çudi që sezonin tjetër edhe Veleçiku të bëjë të njëjtën gjë.

Po mendojmë të investojmë fuqishëm si në infrastrukturën sportive ashtu edhe në krijimin e një ekipi model në mënyrë që të përfaqësohemi denjësisht edhe ne në mes ekipeve më të mira të vendit”.
© shkodrasport.com