Paraqitja dinjitoze e Vllaznisë në përballjen ndaj Realit të Madridit në ndeshjen e parë të fazës së grupeve të UEFA Women Champions League, ka emocionuar jo pak edhe kryetarin e Bashkisë së Shkodrës, Bardh Spahia. Kryebashkiaku shkodran e ka ndjekur live ndeshjen nga tribuna VIP e stadiumit “Loro Boriçi”.

Në statusin e tij në Facebook, kryetari i Bashkisë së Shkodrës ka përcjellur vlerësimet maksimale për ekipin kuqeblu dhe ndeshjen e treguar ndaj një marke të madhe të futbollit, siç është Real Madrid. Spahia u shpreh se vajzat e Vllaznisë dhuruan një lojë të shkëlqyer, ndërsa theksoi se ato kanë shënuar historinë në futbollin shqiptar.

“Përtej rezultatit, vajzat e Vllaznisë na dhuruan një lojë të shkëlqyer përballë Real Madrid në stadiumin “Loro Boriçi”.

Kanë shënuar historinë në futbollin shqiptar dhe jam i bindur se do ta tregojnë denjësisht në fushë se e meritojnë të jenë mes ekipeve më të mira të Europës. I përgëzoj vajzat dhe stafin dhe ju uroj suksese për sfidat në vazhdim”,-mbylli postimin e tij, kryetari i Bashkisë Shkodër, Bardh Spahia.
Maringlen ZHIVANI