Ka kohë që flitet megjithatë askush nuk është ndjerë ta thotë hapur. Dalja e LSI nga koalicioni qeverësis, shkaktoi menjëherë edhe dyshimet në Shkodër nëse kontrata që Bashkia Shkodër (përfaqëson PD-në) me administratorin- president Agron Çela (do kandidojë për LSI në zgjedhje) do mbetej në fuqi apo do prishej. Megjithatë nga fillimi I prillit kur u bë kjo marrëveshje dhe deri dje askush nuk është ndjerë të flasë publikisht rreth saj. Për më tepër që kontrata nuk mund të prishet kollaj. Megjithatë dje janë trazuar gjërat. Ka ndodhur kështu pikërisht nga kryeministri I vendit Sali Berisha gjatë vizitë që ka patur në kryeqendrën e Veriut.
Deklarata. Numri 1 I qeverësisë shqiptare e ka kaluar dje gjithë ditën në Shkodër. Inagurime, konferencë shtypi me gazetarët dhe në fund prezantimi I kandidatëve për deputet të forcës politike që ai drejton. Por në këtë vizitë në Shkodër, qytetin- vendlindje të shumë sporteve, sigurisht që kishte vend për të folur edhe për të. Në fakt, është ngacmuar nga një pyetje e gazetarëve në lidhje me rikonstruksionin e stadiumit “Loro Boriçi” dhe Berisha ka dalë “në një degë tjetër” teksa ka thënë: “Vllaznia është një emër I madh, një skuadër me histori, por para se të gjithash ajo duhet të mendojë për të gjetur një president sepse ai që ishte iku. Zgjodhi rrugën për të kërkuar mandatin e deputetit dhe la Vllazninë prandaj dhe ata që e kanë në dorë këtë gjë duhet të mendojnë për një president tjetër. Nëse e donte Vllazninë të qëndronte por ai zgjodhi t’I bashkohej Partisë Socialiste”- ka thënë kryeministri. Numri 1 I ekzekutivit shqiptar sigurisht që kishte ngatërruar forcën politike me të cilën do kandidojë presidenti Agron Çela dhe kur njëri nga gazetarët e ka korrigjuar duke I thënë se ai kandidon për LSI-në, Berisha I është përgjigjur sërish: “Njëlloj është si Partia Socialiste si LSI sepse në Shkodër ata themeluan Partinë e Punës”. Në pamje të parë një deklaratë e tillë e kryeministrit mund të ketë kaluar me humor por në brendësi mund të ketë edhe ndonjë të vërtetë.Shkarkimi. Se e ka thënë Berisha, natyrisht që nuk do të thotë që gjërat janë të kryera. Agron Çela të paktën deri dje nuk ka ikur nga Vllaznia. Që do të thotë se kontrata në mes tij dhe Bashkisë Shkodër është ende në fuqi madje ka fuqi ekzekutive deri në qershor të vitit 2015. Por përderisa në sport çdo ditë e më tepër ka ndërhyrë politika, çfarëdo mund të ndodhë. Përderisa dikush pranë tij ia ka shpjeguar atij se kush është presidenti I Vllaznisë, sigurisht që kjo tregon se është një çështje që është diskutuar në mes strukturave të kësaj force politike por askush nuk ka marrë përsipër të flasë derisa atë e hapi vetë kryetari I forcës drejtuesve aktualisht në vend. Logjika të çon në atë se gjërat janë bërë nga poshtë ngaqë Berisha nuk e ka patur as të qartë se me cilën forcë politike do kandidojë Çela, përderisa e ngatërroi LSI-në me PS-në. Në kushte të tilla duhet të presim ditët e ardhshme për të parë se çfarë do ndodhë.
Stadiumi. Ndër pyetjet e tjera që I janë bërë kryeministrit kanë qenë edhe ato në lidhje me pallatin e sportit “Qazim Dervishi” dhe stadiumin “Loro Boriçi”, impiante sportive këto në të cilat nuk është ndërhyrë asnjëherë gjatë këtyre viteve të fundit dhe ato po kalojnë një gjendje aspak të mirë. Berisha megjithatë nuk ka arritur të japë një përgjigje të qartë, ndoshta ngaqë nuk ka qenë shumë I informuar në lidhje me infrastrukturën sportive por ka thënë vetëm se do interesohet në strukturat përkatëse. “Po më pyesni për pallatin e sportit. E kam paraysh gjendjen e tij dhe kur them e kam parasysh, do të thotë se jam shumë I qartë se në të duhet ndërhyrë në shumë drejtime. Sa I takon stadiumit, nuk dua të bëj paralelizëm me stadiumin “Qemal Stafa” por nuk e kam shumë të qartë sesi administrohet dhe kush duhet të financojë. Në kushte të tilla, më duhet të informohem për këtë çështje nga ekspertët por sigurisht që është e nevojshme edhe aty të ndërhyhet” – është përgjigjur ai. Në njëfarë mënyrë, prej kryeministrit të vendit nuk është marrë asnjë premtim në lidhje me ndonjë investim të mundshëm në infrstrukturën sportive në Shkodër.
Gjergj KOLA