Lajme të mira edhe për stadiumin “Loro Boriçi”. Duket se edhe atij i ka ardhur koha për rikonstruksion. Ka qenë kryeministri Edi Rama ai që e ka premtuar një gjë të tillë ditën e sotme gjatë vizitës që ka bërë në Shkodër. Në fakt, vizita në ambjentet e këtij stadiumi nuk ka qenë në axhendën e tij por pas një kafe në hotel “Colosseo” nuk dihet se kush ia ka sugjeruar dhe numri 1 i Qeverisë, nuk ka ngurruar të bëjë një vizitë andej. Për koiçidencë ka patur me vete edhe dy ish- presidentë të Vllaznisë, Valter Fushaj dhe Agron Çelën, ky i fundit edhe deputet sot.

Bashkë me to kanë qenë edhe prefekti Paulin Radovani, deputetët Tom Doshi e Mark Frroku si dhe mjeshtri i futbollit Hysen Zmijani. Kryeministri jo vetëm ka vizituar ambjentet brenda stadiumit por edhe rreth e rrotull atij duke u skandalizuar nga gjendja që ka parë. Për rrjedhojë, ndonëse nuk ka patur një prononcim për mediat, ai në rrjetin social tëiter ka thënë se stadiumi i Shkodrës do jetë arena e dytë e kombëtares shqiptare. Kreu i qeverisë Rama mësohet se ka ngarkuar për të bërë këtë projekt deputetin Agron Çela dhe ish-presidentin e Vllaznisë Valter Fushaj. Të dy përfaqësuesit e Shkodrës menjëherë kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të realizuar këtë projekt dhe për t’ia dorëzuar në një kohë sa më të shpejtë. Kryeministri nuk është mjaftuar me kaq. Ka shprehur keqardhjen e tij për situatën në të cilën Vllaznia ndodhet në këto vitet e fundit dhe ka bërë një propozim konkret për deputetët Doshi, Çela, Frroku dhe ish-presidentin Fushaj që Vllaznia të ringrihet aty ku e meriton. “Bëhuni bashkë ju të katërt dhe merreni Vllazninë për të ndërtuar një skuadër dinjitoze e për ta çuar aty ku e meriton. Mund t’i dhuroni Shkodrës një ekip të madh. Besoj nuk është e vështirë. Keni mbështetjen time” – mësohet të ketë thënë kryeministri Rama për ekipin e Vllaznisë. Rama nuk ka folur për stadiumin por ka qenë prefekti i Shkodrës Radovani që ka thënë: “Kryeministri shprehu gatishmërinë për të mbështetur rikonstruksionin e stadiumit në qytetin e Shkodrës për tribunën VIP por edhe pjesën tjetër që nuk është e rrethuar. Duhet të paraqitet një projekt për këtë rikonstruksion dhe sa më shpejt që të paraqitet aq më mirë do jetë sepse është i gatshëm për të ndihmuar. Nuk është se tha se sa do të jetë fondi për këtë rikonstruksion”.

www.shkodrasport.com