Situata e Kukësit në kampionat është bërë objekt batutash edhe në takimin që kryeministri Edi Rama ka bërë sot në qytetin verilindor. Klubi gjendet në vendin e shtatë dhe nuk është ende përfundimisht i shpëtuar nga zona e ftohtë, pavarësisht pretendimeve me të cilin nisi sezonin, duke synuar të paktën Europën.

Kryeministri, duke qëndruar pranë kryetarit të bashkisë, Safet Gjici, i cili është njëkohësisht edhe president nderi i Kukësit, i kujtoi situatën e ekipit, duke bërë humor me të pasi i tha që të përballej vetë me këtë situatë, meqë edhe Pandeli Majko nuk ishte një ekspert.

“Mora vesh që Kukësi është i shtati në Superligë. Në këtë pikë nuk mund të japim ndonjë kontribut për arsye se Pandi nuk merr vesh nga futbolli fare.

Unë nuk e ndjek, se për të marrë vesh, nuk e marr. Kështu që shih e bëj për këtë punë. Edhe këta të kanë dhënë votën, por pjesën e vendit të shtatë do e përballosh vetë”, tha duke qeshur Rama përballë Gjicit.