Nga Endri ÇINARI

Prej disa sezonesh ka qenë një nga ekipet protagoniste të futbollit malazez. Madje duke sjellë në Superiore edhe emra si: Vulaj apo Camaj. Fjala është për klubin e futbollit, Deçiç që përfaqëson Tuzin në elitën e futbollit fqinj. Një skuadër që përfaqëson më së miri shqiptarët e sidomos pjesën e Malësisë.

Në sezonin aktual duket se bardheblutë janë në rrugën e duhur për të finalizuar ëndërrën e madhe. Atë të shpalljes kampion në Malin e Zi, ku në vitet e shkuara ka marrë pjesë në kupat e Europës apo edhe ka fituar trofeun e kupës, por patjetër objektivi është edhe më i madh. Pas 22 javësh, Deçiç kryeson kampionatin në Malin e Zi me 42 pikë.

Duke qëndruar kështu 2 pikë sipër skuadrës legjendare të Buduçnostit, një ekip që në Shkodër njihet mirë për traditën e pasur në futbollin malazez. Ekipi që drejtohet nga presidenti shumë futbolldashës, Pal Dreshaj kërkon të plotësojë ëndërrën e gjithë komunitetit shqiptar në Malin e Zi. Ku për herë të parë në histori një ekip shqiptar mund të shpallet kampion.

Pas skuadrave shqiptare si: Shkëndija, Shkupi apo Struga që janë shpallur kampion në Maqedoninë e Veriut. Duket se rradha është për një tjetër ekip shqiptar të shpallet kampion, në një territor që politikisht është jashtë kufinjëve të Shqipërisë zyrtare. Deri në fundin e kampionatit malazez janë 14 javë, ku të gjitha mund të cilësohen si “finale” për skuadrën nga Tuzi./SHKODRASPORT.COM/