Problemet e Vllaznisë natyrisht që tashmë janë të bëra publike dhe përveç gjyqit me “Gea Sport”, klubi shkodran ka edhe të tjera çështje për të zgjidhur. Kjo pasi llogaritë bankare të klubit shkodranë janë ende të bllokuara. Një fakt i tillë bëhet i ditur edhe nga drejtori i drejtorisë rajonale te tatim-taksave Shkodër, Hysen Hysaj.
Në një komunikim me mediat ditën e sotme, ai ka folur edhe për çështjen e klubit kuqeblu. Hysaj ka deklaruar se klubi Vllaznia ka pasur një akt-marrëveshje me drejtorinë rajonale të tatim-taksave Shkodër që në fakt deri në një periudhë i ka qëndruar strikt. Por, më pas ka pasur devijime të kësaj marrëveshje. Kështu, në momentin që nuk i ka qëndruar likujdimit të kësteve që ishin parashikuar është prishur kontrata dhe i kemi bllokuar llogaritë klubit Vllaznia, shton Hysaj.
Ndër të tjera, drejtori i drejtorisë rajonale të tatim-taksave Shkodër shton se drejtuesit e Vllaznisë kanë shfaqur interes për të rilidhur një akt-marrëveshje të re me drejtorinë e tatimeve.
Nisur nga reputacioni i Vllaznisë dhe vështiresitë që ky ekip ka pasur nder vite, Hysaj tha se po bëjmë maksimumin që të krijojmë të gjitha mundesitë e mundshme konform ligjit, për të mos u penguar për asnjë moment veprimtaria e këtij ekipi. Dashamirësia ekziston dhe padyshim që edhe drejtuesit e klubit dhe ato të Bashkisë, janë të bindur se do të gjendet një zgjidhje. Për këtë arsye, pritet të shohim si do të rrjedhin ngjarjet në ditët në vazhdim.
© shkodrasport.com