Suksesi i djeshëm që koleksionoi Kupën e 12-të rradhazi të Shqipërisë për Vllazninë në atletikë për meshkuj, nuk do të mbetet me kaq. EKipi shkodran po bëhet gati të bëjë pronë të veten edhe titullin e 12-të kampion rradhazi, në garat që do të zhvillohen në fillimin e javës së ardhshme në Elbasan.

Një gjë të tillë e ka premtuar në një prononcim për “Shkodra Sport” kryetrajneri i ekipit të vllaznisë Albert Marashi kur është shprehur: “Ne edhe në kampionat do të synojmë të përsërisim suksesin e 11 viteve të mëparshme sepse nëse do të kurorëzohemi do të jetë titulli i 12-të rradhazi që do të fitojmë. Unë shpresoj se do të ndodhë kështu. Na kanë mbetur edhe pak ditë në dispozicion për t’u përgatitur për këtë aktivitet në mënyrë që ta kalojmë me sukses edhe atë”.

Marashi ndërkohë i është rikthyer gjatë prononcimit të tij edhe garave të djeshme të Kupës së Shqipërisë që u zhvilluan në Elbasan dhe që i dhanë trofeun ekipit shkodran. Në lidhje me këto gara, ai është shprehur:

“Pas një shkëputje të gjatë për shkak të situatës së krijuar nga pandemia, dje sportistët zhvilluan të parin aktivitet në kaq muaj dhe e kurorëzuan me sukses. Ishte gara e Kupës së Shqipërisë ku morën pjesë 9 ekipe dhe Vllaznia zuri vendin e parë duke fituar në këtë mënyrë Kupën e 12-të rradhazi të Shqipërisë.

Suksesi i djeshëm është frut i punës së bërë së gjithë trajnerëve të cilët dua t’i theksoj edhe me emra sepse kanë një meritë të madhe në këto arritje, duke nisur nga profesor Vildan Tufi e për të vazhduar me Dorian Tafën e Bruno Rrotanin. Ata bënë të mundur që duke gërshetuar elementin e ri me atë më me përvojë, t’ia dalim.

Garat e Kupës ishin shumë të mira për atletët tanë, edhe sa i takon rezultateve por edhe renditjes. Pjesa më e madhe e sportistëve tanë arritën të përmirësojnë rezultatet e tyre dhe kjo është diçka shumë pozitive. Dua të veçoj ata që u renditën të parët, Daniel Gurin në 100 m, Ravio Ramën në 110 m/p, Franko Burrajn në 200 dhe 400 m, në kërcim së gjati Muhamet Çangeli që u shpall dhe sportisti më i mirë i aktivitetit, në kërcim trehapësh Heldi Valikaj.

Po ashtu për vajza, Erisa Rrasa zuri vend të parë në kërcim së gjati dhe Sara Malaj në kërcim me shkop.Vllaznia për djem pati një shkëputje të ndjeshme në renditje nga ekipet që e ndiqnin ndërkohë që për t’u vlerësuar si diçka shumë pozitive është renditja e ekipit të vajzave në vendin e tretë”.
www.shkodrasport.com