Ballkani i Ilir Dajës i ka shkuar shumë pranë mrekullisë së radhës në Ligën e Konferencës. Skuadra kosovare është mundur në shtëpi me përmbysje nga Sivaspor në një takim që nuk ia doli ta mbyllte dhe u ndëshkua në fund.

Për më shumë se 70 minuta, Ballkani bëri një ndeshje thuajse për t’u vënë në kornizë. E vëmendshme në mbrojtje duke mos lejuar asgjë para portës së Frashërit, por edhe thumbuese në sulm, duke krijuar rast pas rasti. Goli Thaqit i dha avantazhin dhe më pas ishin Krasniqi, Korenica e Rrahmani të cilët shpërdoruan rast pas rasti para portës mike duke mos mbyllur ndeshjen.

Për më pas skuadra kosovare u tërhoq të administronte rezultatin dhe këtu u godit nga turqit të cilët shtuan trysninë dhe brenda pak minutave gjetën rrjetën dy herë, duke përmbysur rezultatin e siguruar tre pikë që i kthejnë në garë për vijimësinë në turne.

Një mëkat, pasi Ballkani ishte shumë pranë fitores historike e cila praktikisht do t’i siguronte kalimin në turin tjetër. Kualifikim të cilin ka edhe dy ndeshje në dispozicion për ta arritur në një grup ku kryesuesit janë vetëm 3 pikë larg.

BALLKANI-SIVASPOR 1-2

36′ Thaqi / 73′ Arslan, 81′ Angielski