Lojtarët e zbuluar nga Igli Tare janë në rritje të vazhdueshme te Lacio. Ky është një fakt i ditur tashmë. Disa prej tyre, krejtësisht “anonimë” deri pak kokë më parë, tani janë nga më të kërkuarit në merkato, madje nga “big”-ët e Europës.
Përveç emrave tashmë të njohur si De Vrij, Milinkoviç-Saviç dhe Luis Alberto apo ndonjë tjetër, ai që është katapultuar në treg tashmë, është malazezi Adam Marusiç.
Ai mungoi në ndeshjen e parë me Salcburgun për probleme fizike, edhe sot nuk do të jetë në fushë, pasi duhet të rikuperohet për derbin me Romën.
Malazezi është blerë në verë për 6.5 milionë euro nga Ostende në Belgjikë. Menjëherë ia ka dalë të ingranohet në ekip dhe të jetë protagonist.
Ka luajtur 33 ndeshje, ka shënuar 3 gola dhe ka dhënë 6 asiste në sezonin e parë në Itali. I fortë fizikisht dhe me karakteristika shumë të mira, që e kanë bërë të bjerë në sy. Shumë nga klubet e mëdha europiane i kanë drejtuar sytë pikërisht te ky lojtar.
Në Itali, më i interesuar është Interi i Spaletit, që në verë pritet të kompletojë edhe blerjen e mbrojtësit De Vrij.
Por për Marusiç janë të interesuar tashmë edhe Totenhemi dhe Liverpuli në Angli. Lotito dhe Tare po vlerësojnë situatën dhe gjasat janë që e ardhmja e malazezit të jetë në Angli, ku duket se mund të gjejë një terren më të përshtatshëm për të treguar vlerat e tij.
Marusiç është formuar tek ekipi serb i Vozdovacit, më pas kaloi te Kortrijk dhe Ostende në Belgjikë, ku Igli Tare e pa dhe e rrëmbeu menjëherë.
E ka nisur karrierën si mbrojtësi i majtë, për të kaluar më pas në të djathtë të mesfushës, ku trajneri Inzagi po e aktivizon me shumë sukses.
Agjenti i tij është Mateja Kezman, ish-sulmuesi serb i Çelsit, i cili menaxhon edhe Milinkoviç-Saviç. Lotito po fërkon duart, pasi shumë shpejt në arkat e klubit të tij do të shtohen të ardhurat. Dhe gjithçka është meritë e një njeriu: Igli Tares.
Drejtori sportiv i Lacios ka sjellë shumë xhevahirë në ekipin roman vitet e fundit, duke i marrë krejtësisht të panjohur dhe më pas ua ka shumëfishuar vlerat.
I fundit në listën e gjatë të zbulimeve të rij është pikërisht Adam Marusiç. /Vipsport/