Vetëm 20 vjeç por po spikat me paraqitjen e tij prej tre sezonesh në rradhët e Vllaznisë dhe jo më kot, sportdashësit e kanë votuar si sportistin më të mirë në Shkodër. Ka ndodhur kështu në votimet e bëra prej vitesh në një anketë për të vlerësuar më të mirët në fusha të ndryshme, në mes të të cilave ishte edhe sporti. Organizatore është agjensia e spektakleve “Buna 1” e cila prej disa vitesh organizon anketën për “Personazhet e vitit” në fusha të ndryshme.


Në anketën e sivjetme, tek sporti kanë qenë katër kandidatë të cilët janë votuar dhe pikërisht Ardit Krymi (futboll), Ervin Berdica (basketboll), Anton Qafarena (volejboll) dhe Xhovani Shkoza (xhudo). Pas disa ditësh votimi elektronik,shkodranët kanë patur mundësi që të përzgjedhin më të mirin dhe në fund, më i miri ka rezultuar të jetë Ardit Krymi. Një vlerësim që në fakt ai e meriton dhe këtë e thotë të gjithë. Nëse ka futbollist i cili ka spikatur këto vitet e fundit, është pikërisht ai. Për lojën cilësore, shpirtin e lartë të garës që shfaq në çdo ndeshje, por edhe për personalitetin që tregon në fushë ndonëse është vetëm 20 vjeç. Titulli përkatës atij i është dhënë mbrëmmjen e sotme në një spektakël të veçantë të organizuar në Teatrin “Migjeni”. Një votim tjetër në këtë anketë ka qenë edhe ai për trajnerin të mirë të futbollit të moshave në Shkodër dhe në fund ka fituar Luan Shpuza, trajner i cili është shpallur kampion me grupmoshën U-13 gjatë vitit që lamë pas.

© shkodrasport.com