Ardit Krymi po i gëzohet faktit që Vllaznia po vazhdon pa u ndalur një rrugëtim që ka nisur prej javësh. Mesfushori i kuqebluve mendon se ekipi po bën mjaft mirë duke i marrë ndeshjet me radhë, teksa pret tashmë një duel të ndezur me Tiranën në javën e ardhshme.

“Të them të drejtën jam i gëzuar se ishte fitore me rival direkt siç është Dinamo që ka pasur një ecuri të mirë. Mendoj që në fillim të kampionatit kishim mungesa, ndikuan episodet, por jam i lumtur që jemi në rrugën e duhur.

Ne po i marrim ndeshjet një nga një, punojmë çdo ditë në stërvitje dhe do të shkojmë deri në fund duke i marrë me radhë.

Tirana? Do ta mendojmë si ndeshje të radhës. Kur vjen Tirana në Shkodër është ndeshje tjetër. Plus për tifozerinë që e ndjen shumë si ndeshje, mendoj se kemi për të bërë maksimumin”, tha Krymi për “MCN” pas ndeshjes.