Mesfushori shkodran, Ardit Krymi, ka komentuar barazimin e fundit ndaj Partizanit në kampionat, por edhe startin e sezonit për Vllazninë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, titullari i kuqebluve është ndalur edhe te problemet që ka shfaqur ekipi në fazën mbrojtëse.
Sipas tij, edhe pse në sulm ka më shumë alternativa për trajnerin Brdarç, çdo repart është i dubluar. Krymi mban edhe këtë sezon peshën e mesfushës kuqeblu dhe shpreson që deri në fund Vllaznia të jetë në luftë për titull, për të rikthyer trofeun në Shkodër pas 21 vitesh.
Ardit, mund të kishit marrë më shumë në përballjen ndaj Partizanit?
Ashtu si e nisëm takimin dhe si po e administronim atë, mendoj se lamë dy pikë. Na ndodhi e njëjta gjë si në përballjen ndaj Teutës. Më vjen keq që nuk arritëm të merrnim maksimumin në këtë ndeshje.
Pesë pikë në tri ndeshjet e para, si ju duket starti?
Mendoj se nuk është më i miri, por gjithsesi duhet vlerësuar si start kampionati. Nuk mund ta quajmë fillim të pakënaqshëm.
Keni pësuar shumë gola. Çfarë nuk po funksionon në aspektin mbrojtës?
Jo, nuk mendoj kështu. Nëse fitojmë, fitojmë të gjithë. Nëse çalojmë, çalojmë të gjithë… Pavarësisht se duket sikur ka më shumë alternativa në sulm, sërish mund të them se te Vllaznia çdo pozicion është i dubluar.
Cilët, sipas jush, janë rivalët më të fortë për Vllazninë?
Është herët për të folur për rival. Janë disa skuadra që do të jenë konkurrente deri në fund.
Këtë sezon po aplikohet edhe sistemi VAR. Si e keni parë, është kjo një ndihmë për ju?
Nuk mund të jap një mendim të prerë. Ka raste që po u shpëtojnë edhe atyre në VAR. Nuk mund të them nëse jemi dëmtuar apo kemi përfituar. Çdo aksion i komentuar kërkon kohën e vet.
Të shtunën luani ndaj Skënderbeut. Çfarë prisni nga ky takim?
Një përballje shumë e vështirë. Asnjë ekip nuk është i lehtë, por ne në këtë takim do të kërkojmë vetëm maksimumin.