Paraditen e sotme në portale të ndryshme ka qarkulluar lajmi se drejtuesit e Tiranës po shohin mundësinë t’i marrin Vllaznisë një nga lojtarët e saj më të mirë, 21 vjeçarin Ardit Krymi. Madje u përfol se gjoja bardheblutë do t’i ofrojnë atij dyfishin e shumës që merr aktualisht në Shkodër. Ky lajm i publikuar nga portali “eduarsportin.com” sigurisht që nuk është pritur mirë në kampin shkodran megjithatë është marrë me buzëqeshje.

Vetë lojtari nuk ka dashur të reagojë por gjithsesi ka pohuar se nuk ka asgjë të vërtetë në këtë mes. Edhe drejtuesit e klubit nuk kanë dashur t’i kushtojnë rëndësi të tilla lajmeve sepse sipas tyre, Krymi është nën kontratë edhe për dy sezone të tjera me Vllazninë dhe kuptohet se nuk bëhet fjalë për një lëvizje të tillë. Mbase, ka qenë një strategji e bardhebluve për të çorientuar kampin kuqeblu në pragndeshjen e kupës megjithatë në Shkodër i kanë të qarta të gjitha këto dhe natyrisht që nuk mërziten nga lajme të tilla të cilat qarkullojnë dhe kanë për të qarkulluar edhe në të ardhmen.

© shkodrasport.com