Tek drejtuesit e Bashkisë Shkodër, dëshira e marrjes me sportin tashmë duket se po shtohet çdo ditë e më tepër. Pas marrjes 100 për qind në pronësi të aksioneve të Klubit të futbollit Vllaznia, drejtuesit e këtij institucioni I kanë hyrë seriozisht punës për ndërtimin e plotë të stadiumit “Loro Boriçi” por edhe të kompleksit të ri sportiv në dalje të qytetit. Pikërisht për këto dy arsye, mësohet se paradreken e sotme , kryebashkiaku I Shkodrës Lorenc Luka ka qenë në Federatën Shqiptare të Futbollit për t’u takuar me presidentin e saj Armando Duka.

Mësohet nga burime pranë Federatës se kryebashkiaku Luka ka kërkuar mendim nga Duka nëse institucioni që ai drejton mund të ndihmojë për të financuar ndërtimin e tribunës qendrore të stadiumit “Loro Boriçi”. Ideja për të ndërhyrë në këtë stadium ekziston prej kohësh. Planet janë për shembjen e tribunës qendrore aktuale fillimisht dhe ngritjen e një tribune moderne në vend të saj ku mund të ndërtohen një tribunë VIP shumë komode, tribuna e gazetarëve dhe shumë gjëra të tjera. Drejtuesit e Bashkisë Shkodër kanë shprehur mendimin se mund të merrnin një kredi afatgjate për këtë gjë por gjërat kanë mbetur vetëm në kuadrin  e ideve për të menduar ndoshta vënien në zbatim vitin e ardhshëm. Fakti që nga vera e ardhshme do fillojë të shembet “Qemal Stafa”, e bën të domosdoshme gjetjen e një stadiumi tjetër për zhvillimin e ndeshjeve të kombëtares shqiptare dhe “Loro Boriçi” I rikonstruktuar, do ishte ideali për këtë punë. Por përveç stadiumit, në bisedën mes Lukës dhe Dukës mësohet të jetë diskutuar edhe për kompleksin sportiv. Ideja për një komples sportiv në Shkodër është hedhur rreth 3 vjet më parë në Shkodër pas një vizite të kryeministrit Berisha në këtë qytet. Ai e premtoi zyrtarisht ngritjen e tij. Por në këtë mes pati vonesa sepse toka e përzgjedhur për ndërtimin e tij, ka qenë në përdorim të Insitutit të Mistrit dhe Orizit dhe në pronësi të Ministrisë së Bujqësisë. Pas ndërhyrjeve të vazhdushme në këto institucione, u arrit që toka të kalohej në pronësi të Bashkisë Shkodër. Bëhet fjalë për 2.5 ha tokë ku mendohet të ngrihen dy fusha futbolli, një minifutbolli, tenisi, sallë force, palestër, hotel, sallë konferencash dhe shumë gjëra të tjera në një godinë shumëfunksionale. Toka ku është menduar ngritja e komplesit është në të dalë të Shkodër, në rrugën drejt Koplikut, pranë ish-SMT-së, vetëm 2 km larg qytetit. Bashkia ka hartuar edhe projektin përkatës dhe tashmë mbetet vetëm gjendja e fondeve për ndërtimin e këtij kompleksi.