Nga Endri ÇINARI

AF Elbasani – Vllaznia do jetë kryesfida e javës së 8-të në Superiore. Dy nga ekipet më në formë të momentin në kampionat do “përplasen” të dielën në orën 19:00, në stadiumin “Elbasan Arena”. Duke rikthyer kështu në kujtesë nostalgjinë e para dy dekadave, ku dy ekipet konkurronin së bashku me Tiranën për titullin kampion në Superligë. E tashmë me kthimin në nivele të larta të verdhebluve, ky shihet si një nga duelet më interesante të këtij sezoni në kampionat.

Si rëndomë në ndeshjet e kampionatit tonë edhe ky duel është një ndeshje “ish-ësh”. I cili zhvillohet jo vetëm në fushë, por edhe në pankina. Kështu tek AF Elbasani luajnë dy shkodranë që në të shkuarën kanë kontribuar suksesshëm për ekipin e tyre të vendlindjes. Fjala është për Edon Hasanin dhe Esin Hakajn, të dy futbollistë të formacionit verdheblu dhe që priten në fushë të dielën.

Tek Vllaznia nuk ka asnjë lojtar që në të shkuarën të ketë mbajtur veshur fanellën e Elbasanit. Por, drejtori sportiv aktual i kuqebluve, Tefik Osmani ka kontribuar si futbollist në karrierën e tij për elbasanasit. Më saktë korçari ka qenë pjesë e AF Elbasanit në vitet 2004-2007, ku gjatë kësaj periudhe ka fituar edhe titullin kampion në sezonin 2005-06 me skuadrën.

Pra, një përballje “fytyrash të njohura”, që për 90 minuta do “harrojnë” miqësitë dhe nostalgjitë e së shkuarës. Për tu përqendruar tek ndeshja dhe sezoni aktual, ku si Vllaznia dhe Elbasani duan të bëjnë sa më mirë për të siguruar zonën e “final 4” në fundin e sezonit të rregullt në Superiore./www.shkodrasport.com/