Flamurtari kthen një tjetër legjendë në sh tëpi. Pas Alfred Ferkos, klubit i bashkohet edhe Rrapo Taho. Ai do të jetë zbulues talentesh, por edhe këshilltar i Sinan Idrizit. Për “Panorama Sport”, 63- vjeçari konfirmon detyrën që ka marrë.

“Jam afruar në stafin e Flamurtarit. E pranova me kënaqësi ftesën e administratorit Sinan Idrizi, që është një dashamirës i sportit dhe futbollit. Jam i lumtur që jam afër stafit drejtues dhe teknik të Flamurtarit. Kuptohet, jam në shtëpinë time. Ndërsa do të jap edhe më tej kontributin tim që futbolli të rritet në Vlorë”, shprehet fillimisht legjenda e futbollit vlonjat.

ECURIA DHE MERKATOJA

Rrapo Taho është i bindur se Flamurtari do të rikthehet në Superiore. Ish-trajneri i njohur vlonjat mendon se është ndërtuar një skuadër e mirë, me blerje cilësore. “Sinan Idrizi po bën një punë kolosale në klub. Presidenti ka ndërtuar një skuadër vërtetë cilësore, duke afruar shumë lojtarë të huaj dhe cilësorë pa diskutim. E bën diferencën edhe gjatë fazës së parë.

Jemi edhe pranë 100- vjetorit të klubit, kështu që do të bëjmë të gjitha përpjekjet që kjo skuadër të rikthehet aty ku e ka vendin. E kam parë skuadrën gjatë miqësoreve të dimrit dhe mendoj se jemi në rrugën e duhur. Stafi teknik po punon mirë dhe po konsolidohemi çdo ditë e më shumë. Në merkato u fokusuam më shumë për afrimin e sulmuesve, dhe aty vazhdojmë të punojmë. Jemi ndër pretendentët kryesorë për t’u ngjitur në Superiore.

Mund të them se ndërprerja e kampionatin ndikoi pak keq. Besoj se është ndërtuar një ekip i bukur dhe ecuria ka qenë pa diskutim e mirë, përtej ndonjë luhatjeje. Dy ndeshjet e fundit nuk na bindën. Siç duket nuk ishte angazhimi i duhur nga ekipi, por gjithsesi mbetet për t’u harruar kjo gjë. Duhet të nxjerrim mësime, pasi i kemi të gjitha mundësitë të bëjmë punë të mirë”, thotë ishmbrojtësi i kuqezinjve.

PLANI ME AKADEMINË

Në cilësinë e zbuluesit të talenteve, ai shprehet se pavarësisht cilësive, lojtarët e akademisë nuk janë ende gati t’i bashkohen ekipit të parë. Ai mendon se në të ardhmen do të kenë më shumë elementë “bio”. “Po punohet edhe në drejtim të akademisë për të pasur sa më shumë elementë ‘bio’.

Grupi është i mirë, por nuk na bindin ende për t’i afruar në skuadrën e parë. Por them se për të ardhmen ata premtojnë dhe synojmë të kemi sa më shumë titullarë nga akademia jonë te Flamurtari”, përfundon Taho.