Opinion nga Gjergj KOLA

 

Këtë pyetje ndoshta nuk e shtroj vetëm unë. Mund ta shtrojnë edhe shumë të tjerë tifozë, sportdashës por edhe dashamirës të Vllaznisë. Kjo skuadër, ndonëse pa bërë një “operacion” të lehtë në merkaton e janarit dhe ndonëse trajneri i saj thotë se si skuadër e ka më të mirë se deri në fund të dhjetorit, ende nuk po jep rezultat. Vetë Vata kërkon kohë por në fakt shumëkush pyet edhe sa kohë. Kjo sepse, nëse Vllaznia nuk fiton ndeshjen e rradhës me Skënderbeun për kupë, ajo me shumë mundësi heq dorë nga pretendimet e saj për kupë. Nëse nuk arrin të fitojë ndeshjen e rradhës me Kamzën për kampionat, ajo rrezikon shumë seriozisht play-out-in sepse skuadrat që do luajnë në të, tashmë nuk janë larg. Vllaznia në 14 javë kampionat ka arritur të grumbullojë vetëm 17 pikë. Një mesatare shumë e ulët, madje mund të themi tepër e ulët. Për një skuadër që pavarësisht se e nisi sezonin me probleme, ajo i ka të sigurta çdo muaj pagesat në bankë dhe madje jo të vogla. Me këtë korrektesë të Bashkisë, skuadra detyrimisht duhej të ishte sot në 4-5 skuadrat e para të renditjes. Nuk është aty, madje shumë më poshtë dhe rrezikon të shkojë edhe më keq. Faji i kujt është? Tifozët nuk duan t’ia dinë. E ka patur Josa, e ka Vata, e ka Bashkia, Shaba apo kushdo tjetër. Ata duan të krenohen me Vllazninë e tyre. Shkodranët në fakt prej shumë kohësh duan të merren me Tiranën e problemeve të mëdha me pagat por nuk shohin çfarë bën gjaku dhe egoja bardheblu. Ata fituan sonte brenda në Durrës ndërsa Vllaznia nuk merr qoftë edhe një pikë ndaj Laçit me shumë halle, në një fushë asnjanëse dhe pa tifozë. Ky është ndryshimi i madh. Askush nuk jep përgjigje të saktë se çfarë po ndodh tek Vllaznia. Askush nuk di të thotë se çfarë do bëhet me këtë skuadër. Tashmë kanë filluar diskutimet nëse duhet të largohet Vata apo jo. Ç’rëndësi ka. Edhe nëse largohet, kush trajner e merr tashmë skuadrën në këto kushte ku ajo ndodhet dhe çfarë garanton. Drejtuesit e Bashkisë “fshihen”. Ata kanë nxjerrë në ballë të klubit administratorin Shaba i cili duhet të përballet me Vatën dhe me qëllim apo pa qëllim, mes tyre ka filluar “lufta e ftohtë”. Kjo “luftë” nuk vlen. Ka të drejtë njëri apo tjetri, nuk ka as më të voglën rëndësi. Vllaznia sot vuan. Këtë nuk mund ta mohojë askush. Pak kohë më parë Edi Martini, duke e parandjerë këtë situatë, do deklaronte: “Ishalla nuk bahet ashtu si mendoj unë”. Pra që skuadra të rrezikojë rënien nga kategoria. Kështu po ndodh. Këtë mendim kanë sot edhe të tjerë specialistë të futbollit. Çështja besoj se nuk duhet të jetë, do japë dorëheqjen Vata apo do të shkarkojnë. E rëndësishme është që palët të gjejnë zgjidhjen më të mirë që Vllaznia të gjejë zgjidhjen e duhur të situatës që po kalon. Në mënyrë që tifozët kuqeblu të mos pyesin sërish: Ku do ta ketë fundin kjo Vllazni këtë sezon?