Ish-administratori i shoqërisë aksionere Vllaznia të futbollit Kujtim Shaba pas largimit nga kjo detyrë kishte mbetur pa punë. Megjithatë ditët e fundit, drejtuesit e Bashkisë Shkodër i kanë gjetur një vend të ri. Ai është emëruar në postin e inspektorit të klubit shumësportësh Vllaznia. Shaba ka zënë vendin e Ismail Kombit, inspektorit të njohur që ka punuar për vite me rradhë në këtë klub por që ka dalë në pension pak kohë më parë. Në këtë mënyrë, ky emërim ka bërë që të mbyllen edhe polemikat e mundshme që mund të kishin ardhur në rast të mosgjetjes së një pune për ish-administratorin e klubit të futbollit, i cili u shkarkua nga kjo detyrë pa asnjë motivacion.


I sugjeruar nga njerëz të ndryshëm, Shaba ka menduar se mund ta çonte çështjen në Gjykatë për të kërkuar rrogën e një viti pas këtij shkarkimi, ashtu siç i takon sipas ligjit. Megjithatë ai ka zgjedhur rrugën tjetër dhe prandaj sot ka marrë postin e inspektorit të klubit shumësportësh Vllaznia. Në këtë mënyrë, pas emërimit pak kohë më parë të Mark Kroqit në postin e shefit të klubit, tani vjen një tjetër emërim, çka bën që organika e tij të plotësohet. Pavarësisht kësaj, ende ka shumë dilema sesi do të funksionojë ky klub në të ardhmen teksa ka kohë që flitet për kalimin e ekipeve të tij në shoqata sportive.

 

www.shkodrasport.com