Kujtim Shaba, ish-drejtues dhe ish-futbollist i Vllaznisë foli së fundmi për situatën e kuqebluve. Ai theksoi se ekipi ndodhet në një ngërç momentalisht, por gara do jetë shumë e fortë dhe me llogari në fund të këtij sezoni dhe shkodranët duhet të jenë me laps e letër në dorë. Ndërsa ish-mbrojtësi thekson se skuadra duhet të mobilizohet për të dalë nga kriza.

Shaba tha: “Vllaznia po vuan prej disa javësh ku nuk merr rezultat. Për këtë kam mendim se nuk është vetëm përgjegjësia e Plorit, pasi po shoh që ai po sulmohet shumë. Aty ka lojtarë që nuk e meritojnë të jenë. Gabimet janë që në fillimin e sezonit me afrimin e tyre dhe këtu dikush duhet të japë llogari.

Di të them duke e njohur si funksinon kampionati shqiptar, Vllaznia do e ketë shumë të vështirë garën për Europë. Kjo pasi futja e Kastriotit në lojë, lëviz shumë gurë në Superiore. Tek Vllaznia duhet të jenë me laps e letër në dorë e ti bëjnë mirë llogaritë. Kjo sepse gara tani do ketë aleancat e njohura në kampionatin tonë.

Unë kam besim tek skuadra e Vllaznisë, por duhet të jenë pak më të ashpër e të egër. Kjo që gara të jetë e pastër dhe e drejtë. Pasi kemi parë që shumë herë këtë sezon i kanë hyrë në hak arbitrat, e në këto momente të sezonit nëse do ketë gabime në drejtim të shkodranëve do jenë fatale për fatet e edicionit”.

Endri ÇINARI