Skuadra e Adës që nga dita e djeshme ka një trajner të ri. Ai është Kujtim Shaba, ish-administratori I klubit të futbollit Vllaznia. Drejtuesit e klubit velipojak në fakt, nisur edhe nga problematika që I shoqëroi këtë fillim- kampionati, nuk menduan shumë për trajnerin duke ia besuar drejtimin e skuadrës Etrit Nikës, zëvendëstrajnerit të sezonit të kaluar. Por fakti që në dy javët e para të kampionatit, Ada ka humbur, e ka vështirësuar pozitën e kësaj skuadre dhe për rrjedhojë duhej patjetër gjetja e një trajneri. Presidenti Alfred Pjetri pas studimit të disa kandidaturave, ka vendosur në fund për emrin e Kujtim Shabës. Lajmin e ka bërë të ditur për gazetën tonë vetë ai kur ka thënë: “Vendosa të caktoj Shabën nisur nga përvoja e tij si ish- futbollist dhe si ish-trajner I moshave tek Vllaznia. Përpos kësaj ai ka edhe një përvojë si drejtues klubi dhe ajo çfarë kemi nevojë në këto momente është një njeri për ta vënë në shina skuadrën tonë e cila ka një përbërje them unë të mirë por do një drejtues të zotë dhe prandaj me këtë trajner mendojmë që t’I kthejmë gjërat në favorin tonë sepse nisja që I kemi bërë kampionatit nuk ka qenë edhe për problemet që na janë shfaqur”. Ndërkohë vetë Shaba I pyetur në lidhje me detyrën e tij të re, është shprehur: “Ndoshta për shumë trajnerë ishte aspak I mirë momenti për të marrë drejtimin e kësaj skuadre e cila po kalon vështirësi të mëdha megjithatë unë me dëshirën e mirë për ta ndihmuar Adën, vendosa të pranoj detyrën për të qenë trajneri I saj. Do të bëj më të mirën time për ta shpëtuar këtë skuadër”. Gjërat tashmë janë të qarta. Velipojakët e kanë gjetur trajnerin dhe ai do jetë një arsye më shumë për të bërë kthesën që në ndeshjen e rradhës, atë që do luhet nesër në Kamëz.
Gjergj KOLA