Ish-futbollisti dhe ish-administratori i Vllaznisë, Kujtim Shaba, ka folur në një intervistë për “Panorama Sport”, ku ka komentuar ecurinë e javëve të fundit për shkodranët, duke u ndalur më në veçanti te ndeshja e fundit e fituar në shifrat 1-3 ndaj Teutës.
Sipas Shabës, ekipi ka ecur në rrugën e duhur, por ende pritet diçka më tepër. Ai thekson gjithashtu se çështja e katërshes së parë të klasifikimit është e mbyllur dhe 9 herë kampionët e vendit duhet të kenë synim renditjen në dy vendet e para në fund të sezonit të rregullt.
Shaba, një Vllazni që reagon mirë në Durrës pas humbjes me Egnatian, apo jo?
Skuadra reagoi ashtu siç pritet nga një ekip pretendent dhe me cilësi. Për mendimin tim tregoi karakter dhe grintë kundër Teutës dhe dominoi nga nisja e takimit deri në fund, duke merituar tri pikët e duke mos vënë asnjëherë në dyshim fitoren. Diferencat e tabelës së klasifikimit u panë qartë në fushën e lojës ditën e premte mes dy skuadrave.
Si e vlerësoni mbajtjen e Dodajt në ekip?
Dodaj është “diamanti” i radhës i akademisë Vllaznia dhe e pamë se çfarë dhuroi edhe në Durrës këtë javë. Besoj se është pozitive si për të, edhe për klubin qëndrimi i tij. Nuk ka pse të jetë “pishman” që nuk u transferua jashtë vendit këtë merkato. Po të vijojë me këto paraqitje, të jetë i sigurt që kap një “top” ekip në merkaton verore.
Tashmë e sigurt drejt “Final 4”, cili duhet të jetë synimi i radhës për Vllazninë?
“Final 4” as që e diskutoj më për asnjërën nga skuadrat. Kam qenë i bindur që në fillim të kampionatit që do të ishin këto ekipe që do të kryesonin. Jam shtyrë nga përbërja dhe cilësia që kanë skuadrat. Vllaznia tashmë duhet të ketë synim renditjen në dy vendet e para, që të jep avantazhin e barazimit në ndeshjet gjysmëfinale të “play off”. Ai duhet të jetë synimi i radhës për ekipin në këto javë.