Tërbuni ka një “blind” në portë. Klajdi Kuka është i pathyeshëm prej 450 minutash. Asnjë gol i pësuar, e bën portierin e momentit. Meritë ka edhe prapavija dhe kësaj i mëshon edhe vetë gardiani, gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”. Shpreson që të thellojë këtë rekord, ndonëse prioritet u jep fitoreve.

“Kam mbyllur 5 ndeshje pa pësuar dhe nuk ka si të mos ndihem mirë. Megjithatë, merita është e të gjithëve. Në ekip jemi tre portierë dhe po punojmë shumë nën drejtimin e një profesionisti si trajneri i portierëve Besnik Malaj dhe mbi të gjitha ndihmë për mua është edhe mbrojtja.

Kjo është e dyta herë që vesh fanellën e Tërbunit dhe u ktheva me shumë dëshirë. Shpresoj vetëm që të përsërisim suksesin e vitit 2016 dhe ta shohim veten në Kategorinë Superiore në fund të sezonit. Jemi të kompletuar dhe mendoj se statistikat flasin për ne.

Pavarësisht se kemi shënuar pak gola, që nuk mjaftojnë për një skuadër që dëshiron të bëhet pjesë e elitës, jemi në rrugën e duhur. Në ekip janë afruar shumë lojtarë cilësorë dhe me eksperiencë, por mungesa e Hysës dhe mesfushorit Filipi u ndie në përballjen e fundit me Shkumbinin.

Vëmendja tani është te ndeshja e radhës në transfertë me Maliqin. Vërtet kemi mungesë pikësh, por le të krenohemi me pathyeshmërinë. Nuk e njohim humbjen dhe me këtë mision duhet të luajmë edhe me juglindorët. Nuk e njohim mirë kundërshtarin, por nga fusha e tyre nuk do të largohemi duarbosh”, përfundoi Kuka.