Kur u duk se me Rrocën dhe Shkurtajn u mbyll merkatoja e Kukësit, gjërat duket se kanë ndryshuar dhe verilindorët po përgatiten për një tjetër blerje. Këtë radhë, drejtuesit e Kukësit kanë hedhur sytë nga kampionat serb, aty ku luan futbollisti i Shpresave, Faton Xhemaili.
Sipas ‘Supersport’, drejtori sportiv i Kukësit, Nderim Nexhipi dhe menaxheri Ramadan Ndreu kanë arritur të bindin edhe mbrojtësin e lindur në Bujanovc, Xhemaili.
20-vjeçari i cili u grumbulluar për herë të parë te Shpresat nga tekniku Alban Bushi, mund të bëjë një hap më shumë në karrierë, duke qenë se në Serbi luan te një ekip modest, siç është Radnik Surdulica.
Ai arriti të debutonte me fanellën kuqezi në takimin miqësor ndaj Maltës dhe shihet si një alternativë e mirë në mbrojtje për Cungun, i cili tashmë ka vetëm Rrumbullakun në krahun e majtë, pasi Vangjel Zguro u largua në drejtim të Amerikës. /VipSport/